E Diel, 1 Nëntor 2026

Shlyerja e borxheve ndaj biznesit, ekspertët e ekonomisë propozojnë skemën

TIRANË- Shlyerja e borxheve që qeveria i ka biznesit konsiderohet si emergjente për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë, jo vetëm nga përfaqësuesit e sipërmarrjes private, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN e Banka Botërore. Në këto kushte, ekspertët e ekonomisë propozojnë një skemë e re për shlyerjen e këtyre detyrimeve, me ndërmjetësinë e sistemit bankar.

“Ideja ime është që të bëhet një lloj marrëveshje, ku borxhi që ka shteti ndaj biznesit të ristrukturohej në letra me vlerë. Pra një lloj premtimi shtetëror ose garancie shtetërore që në vetvete do jepte një risk minimal për shlyerjen e këtij borxhi dhe në këtë lloj forme unë mendoj se banka e nivelit të dytë do ta kishte shumë më të lehtë që të kreditonte biznesin me një normë të ulët interesi. Pra, norma e diskontimit me të cilën bizneset do t’i shisnin borxhin bankave të nivelit të dytë do të ishte shumë më e ulët”, shprehet Altin Hoti, Dekan i Fakultetit Ekonomik në “Luarasi”.

“Një nga mënyrat mund të jetë edhe e ashtuquajtura emetimi i borxhit të tipit obligacione. Ka të paktën dy, tre mundësi që mund të emetohen këto lloj instrumentesh të cilat në njëfarë mënyre krijojnë një shlyerje të zbutur ose të lehtë me efekte të zbutura dhe më të lehtësuara përsa i përket barrës në buxhet. Do të krijonte një lloj mekanizmi lehtësues për sa i përket likuiditetit në treg, kryesisht drejt sipërmarrjes private”, tha Elvin Meka, ekspert i ekonomisë.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, shlyerja e borxheve ndaj biznesit jo vetëm që do e ndihmojë kompanitë private, por do të rrisë paranë në qarkullim, duke ndikuar në rritjen e prodhimit dhe duke stimuluar rritjen ekonomike.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›