Shmanget sulmi terrorist në Capitol Hill

Personi në fjalë, që sipas disa medieve është me origjinë marokene, ishte prej kohësh nën mbikëqyrje të rreptë.
Eksplozivi që dyshohet se do të përdorej u çaktivizua nga forcat e rendit dhe nuk përbën më rrezik për qytetarët, ka deklaruar një zëdhënës i FBI-së.
I njëjti burim ka shtuar më tej se agjentët e seksionit të anti-terrorizmit në Byronë Federale të Hetimeve po vijojnë hetimet, për të zbuluar nëse i dyshuari ka bashkëpunëtorë.
Për momentin është herët të thuhet se kush mund ta ketë organizuar atentatin, por agjentët e FBI-së kanë shmangur së fundmi në të njëjtën mënyrë disa plane terroriste.
Ndër më të fundit është ai i shtatorit të vitit të kaluar, ku një 26-vjeçar me pasaportë amerikane, Rezwan Ferdaus, u arrestua pasi dyshohej se kishte përgatitur telekomandimin e disa aeroplanëve me eksploziv drejt Pentagonit dhe Kongresit.