Shoqata: Uji i pastër po pakësohet
Shqipëria i është bashkuar sot apelit botëror Ujë të pastër për një botë të shëndetshme. Shoqata e Ujësjellës-Kanalizime të Shqipërisë në Bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, organizuan një aktivitet sensibilizues në sheshin Skënderbej. Gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë fletëpalosje për qytetarët me karakter sensibilizues. Në këtë ditë, përgjegjësia kryesore e qeverive në botë është mbrojtja e burimeve ujore nga ndotja që i kërcënon sot. Cilësia e burimeve ujore është gjithnjë e më tepër e kërcënuar nga njerëzimi. Aktiviteti njerëzor gjatë këtyre 50 viteve të fundit është përgjegjës për ndotjen e pa precedent në historinë e njerëzimit te këtyre burimeve ujore. Ndonëse sasia e burimeve më vendin tonë është e mjaftueshme për nevojat tona, cilësia e tyre mund të jetë një problem për shkak të ndotjes ndër vite që u është bërë këtyre burimeve. Ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore ka ardhur si pasojë e shkarkimeve në to të ujërave të ndotura urbane, industriale dhe ujërave nga aktiviteti bujqësor. Është vlerësuar se më shumë se 2.5 miliardë njerëz në të gjithë globin jetojnë pa higjienën e nevojshme. Çdo ditë në rang global ka 2 milionë tonë shkarkime urbane dhe efluentë të tjerë që derdhen në mjedisin ujor. Problemi është akoma më keq në vendet në zhvillim, ku mbi 90% e ujërave të ndotura urbane dhe 70% e ujërave industriale, të patrajtuara derdhen në ujërat sipërfaqësore. Shumë nga ndotësit ujore ndikojnë negativisht në cilësinë e ujit dhe përbëjnë rrezik për shëndetin e njerëzve. Si rezultat uji i pastër po pakësohet. Gjithashtu, aftësia e ekosistemeve për të ofruar shërbim është reduktuar në mënyrë drastike, ndërkohë që efektet janë të pakthyeshme.