E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH, si FMN-ja kundër amnistisë fiskale

Një tjetër institucion i huaj ndërkombëtar financiar është shprehur kundër iniciativës së biznesit shqiptar për amnistinë fiskale, iniciativë kjo e përkrahur edhe nga qeveria. Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk e përkrah nismën e qeverisë shqiptare për amnisti fiskale. Gjatë një prononcimi publik, drejtori i BERZH-it për Shqipërinë shprehet se qeveria duhet të përqendrohet më shumë në administrimin e taksave, si e vetmja mënyrë për të pasur një konkurrencë të ndershme në treg. Shefi i BERZH në Tiranë ka shpjeguar dje se amnistia nuk është një politikë që sjell një zhvillim të qëndrueshëm. Kërkesa për amnisti fiskale është bërë nga komuniteti i biznesit, por qeveria e ka pranuar në parim këtë propozim, pas krizës që ka përfshirë financat publike. Ai ka nënvizuar se vendi ynë nuk ka nevojë për një amnisti fiskale, e cila do të aplikohet vetëm një herë. Ai bëri të ditur se BERZH nuk ka një ide të qartë për këtë projekt, pasi nuk ka një draft të hartuar. Ajo që mund të themi është se Shqipëria ka taksa të ulëta dhe qeveria duhet të punojë më shumë që pagesa e tyre të bëhet në mënyrë sa më transparente, - shprehet Berg. Sipas tij, një amnisti mund të ketë pozitivitete për ekonominë, pasi mund të inkurajojë kthimin e kapitaleve nga vendet e tjera drejt Shqipërisë, por nga ana tjetër dëmton biznesin e ndershëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›