Shoqata e Bankave kërkon uljen e tavanit për pagesat cash të individëve

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Shoqata Shqiptare e Bankave ka kundërshtuar propozimin e qeverisë për vendosjen e një limiti prej 500 mijë lekësh për pagesat cash të individëve, duke e konsideruar shifrën shumë të lartë për të luftuar informalitetin dhe përdorimin e parasë cash.
Sekretari i Shoqatës, Spiro Brumbulli, vlerësoi pozitivisht uljen e kufirit për bizneset nga 150 mijë në 100 mijë lekë, por sugjeroi që limiti për individët të vendoset në 50-60 mijë lekë.
Ai theksoi se masa aktuale nuk korrespondon me pagat mesatare dhe nivelin e informalitetit në vend.
“Është pozitive që ulet kufiri për bizneset, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë. Trendi në ulje tregon masa forcuese në favor të formalizimit të ekonomisë. Por, vendosja për individët e një tavani në shumën 500 mijë lekë është jashtë çdo analize dhe eksperience. Vendet e rajonit, si Greqia, Maqedonia e Veriut, Hungaria kanë limitin 500 euro dhe e kanë njësoj, si për bizneset, ashtu edhe për individin. Çfarë kuptimi ka të vendosim një limit prej 500 mijë lekësh për individin, kur paga mesatare është rreth 80-90 mijë lekë dhe ndërkohë që limit për biznesin parashikohet në 100 mijë lekë? Propozimi ynë është që tavani për veprimet në cash të jetë diku te 50-60 mijë lekë për të mos nxitur veprimin në cash. Nëpërmjet kanaleve bankare ai mund të kryejë çdo veprim. Ne nuk jemi as Gjermania, as Holanda, që janë vende me shkallë të ulët informaliteti. Në vendet në zhvillim, me ekonomi cash dhe ku pagat janë nën një mijë euro mesatarja, nuk mund të rrisim me 5-fish tavanin. Kjo masë nuk përputhet me të gjitha përpjekjet që po bëjmë për të luftuar informalitetin dhe paranë cash në ekonomi”, tha Brumbulli.
Qeveria ka propozuar gjithashtu detyrimin e një pjese të bizneseve për pajisje me terminale POS deri në fund të vitit 2026, me përjashtime për bizneset e vogla dhe ato në zona pa mbulim interneti.
/j.p/r.e/