E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e Investitorëve të Huaj: Qeveria të rishqyrtojë masat e propozuara në Paketën Fiskale 2027

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Shoqata e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë ka reaguar lidhur me masat e propozuara në Paketën Fiskale 2027 duke kërkuar konsultim të mirëfilltë me biznesin dhe analiza të qarta mbi ndikimin ekonomik të rritjes së propozuar të taksave.

Në deklaratë publikuar në faqen zyrtare të FIAA-s, theksohet se ndryshimet e rëndësishme në kuadrin e taksave duhet të bazohen në analiza të shëndosha ekonomike, konsultime kuptimplote me komunitetin e biznesit dhe kohë të mjaftueshme që bizneset të vlerësojnë implikimet e tyre dhe të përgatiten në përputhje me rrethanat.

FIAA thekson se “politika fiskale luan një rol kritik në vendimet për investime, konkurrueshmërinë e biznesit dhe planifikimin afatgjatë. Për investitorët e huaj, stabiliteti, transparenca dhe parashikueshmëria në kuadrin fiskal dhe rregullator janë kushte thelbësore për investime të qëndrueshme. Ndryshimet e papritura në normat e taksave dhe në legjislacion mund të ndikojnë në vendimet për investime, të rrisin pasigurinë e biznesit dhe të minojnë besimin në perspektivën ekonomike afatgjatë të vendit”.

“Në një kohë kur Shqipëria po kërkon të forcojë konkurrueshmërinë e saj, të tërheqë investime të huaja të qëndrueshme dhe të përparojë integrimin e saj evropian, politika fiskale duhet t’i mbështesë këto objektiva duke u ofruar bizneseve një kuadër të qartë, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për operimin dhe investimet. Prandaj, FIAA i bën thirrje Qeverisë të rishqyrtojë masat e propozuara dhe të angazhohet në një dialog kuptimplotë me komunitetin e biznesit. Çdo ndryshim i rëndësishëm fiskal duhet të mbështetet nga vlerësime gjithëpërfshirëse të ndikimit, konsultime transparente dhe periudha të përshtatshme tranzicioni”, thuhet në reagimin e FIAA-s.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›