E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj Ballës: Deklaratat për prokurorin e Tiranës rrezikojnë pavarësinë e magjistratëve

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Shoqata e Prokurorëve reagoi sot ndaj deklaratave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lidhur me vendimmarrjen e prokurorit të Tiranës, Arbër Berexha, për arrestimet gjatë protestave të ditëve të fundit.

Në një deklaratë, shoqata thekson se aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e magjistratëve dhe besimin e publikut te drejtësia.

Balla, në një prononcim për gazetarët pas seancës plenare të Kuvendit, kritikoi prokurorin Arbër Berexha, duke pretenduar se ai ka lidhje politike me Partinë Demokratike dhe duke vënë në diskutim vendimmarrjen e tij për çështjen e protestuesve.

“Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.

Në deklaratë theksohet se, prokurorët janë magjistratë që gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit dhe, në përmbushjen e detyrës, u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike”, thekson Shoqata.

Në deklaratë nënvizohet se vendimet e prokurorisë mund t’i nënshtrohen kritikës publike, por pretendimet për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete, e zhvendosin debatin nga argumentet juridike drejt diskreditimit personal dhe profesional të magjistratit.

“Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme”, thuhet në reagim.

Shoqata e Prokurorëve bëri gjithashtu një sqarim për natyrën ligjore të urdhrave të prokurorit për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar, kur konstatohen arrestime në kundërshtim me ligjin.

“Duhet sqaruar për opinionin publik edhe se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale”, sqaron Shoqata.

Ajo i referohet nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, duke theksuar se në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.

Sa u përket pretendimeve për shkelje profesionale apo etike, Shoqata thekson se ato mund t’u paraqiten organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohen mbi bazën e fakteve dhe sipas procedurave ligjore.

Shoqata u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të tregojnë përgjegjësi në deklaratat publike dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorë të caktuar.

“Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo”, përfundon deklarata e Shoqatës së Prokurorëve, e publikuar sot.

/gj.m/r.e/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›