Të rinj protestues, kapsolla dhe gurë drejt policisë para Kryeministrisë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Situata para Kryeministrisë u përshkallëzua mbrëmjen e sotme, ku protestuesit hodhën kapsolla dhe gurë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa forcat e rendit iu kundërpërgjigjën me ujë me presion nga autoboti i blinduar.
Një grup të rinjsh u pozicionua përballë autobotit dhe efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), duke vendosur gurë dekorativë përpara policisë.
Përmes megafonit, efektivët u bënë bërë thirrje pjesëmarrësve të ruanin qetësinë, të ndërprisnin veprimet e dhunshme ndaj institucioneve dhe të largonin fëmijët nga zona e protestës.
“Qytetarë, largoni fëmijët nga rruga! Ndaloni veprimet e dhunshme ndaj institucioneve”, ishte apeli i përcjellë nga policia.
Autoboti hodhi ujë me presion drejt të rinjve dhe protestuesve që ndodheshin në bulevard. Pas ndërhyrjes, një pjesë e të rinjve u larguan përkohësisht, por më pas u rikthyen sërish dhe hodhën gurë në drejtim të policisë.
Efektivët përsëritën thirrjet që fëmijët dhe të rinjtë të largoheshin nga zona dhe të mos provokonin policinë, ndërsa protestuesit vijuan të qëndronin në sheshin përpara Kryeministrisë.
Policia vijoi veprimet për shpërndarjen e protestuesve që ndodheshin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.
Efektivët nxorrën në bulevard autobotët me ujë dhe ndërhynë për të larguar protestuesit nga zona pranë godinës së Kryeministrisë.
Protesta e sotme nisi që në orën 09:00, me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve, në të njëjtën kohë me nisjen e punimeve të Kuvendit.
Protesta para Kryeministrisë, foto:Florian Abazaj 1 nga 7/gj.m/r.e/j.p/