Shoqata për Autonominë Vendore: Ndalimi i kryebashkiakut Veliaj pa vendim gjykate cenon autonominë lokale

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Shoqata për Autonominë Vendore ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me ndalimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm në mungesë të një akuze të qartë dhe një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Në një deklaratë zyrtare, shoqata thekson se ka qenë gjithmonë në mbështetje të respektimit të ligjit dhe ka inkurajuar bashkitë që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. Megjithatë, ajo e konsideron të paprecedentë ndalimin e një të zgjedhuri vendor pa një vendim të plotfuqishëm apo pa u gjetur në kushtet e flagrancës.
“Është e papranueshme që për çdo hetim të merren masa paraprake që kufizojnë lirinë e një kryetari bashkie, pa një akuzë të qartë dhe një vendim gjyqësor që e justifikon këtë veprim”, thuhet në reagimin e Shoqatës për Autonominë Vendore.
Shoqata ka ngritur gjithashtu shqetësime për klimën e krijuar në qeverisjen vendore, duke nënvizuar se ka një qasje të pabalancuar dhe shpeshherë intimiduese ndaj kryetarëve të bashkive nga ana e institucioneve të drejtësisë. Sipas saj, kjo situatë cenon parimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe krijon pasiguri për funksionimin normal të pushtetit vendor.
Në përfundim, Shoqata apelon për respektimin e parimeve kushtetuese dhe garantimin e një mjedisi të paanshëm për funksionimin e bashkive në shërbim të qytetarëve. /j.p/