Rama: Në romanin 400 faqesh për Veliajn nuk ka prova, ka vetëm tregim me gjithfarëlloj personazhesh

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se, mazhoranca është garancia e pavarësisë së prokurorisë dhe të gjykatës speciale.
Në dëgjesën e grupit parlamentar të PS me deputeten dhe kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, Rama u shpreh se, “është shumë e rëndësishme që ne të jemi shumë të vëmendshëm për të mos harruar asnjëherë që ne jemi garancia e pavarësisë e prokurorisë dhe të gjykatës speciale”.
“Arsyeja pse unë mendoj që kjo dëgjesë duhej bërë dhe që të tilla dëgjesa mund të bëhen kurdo qofte që do të jetë e nevojshëm, qoftë me deputetë, qoftë me njerëz të tjerë që mund ta kërkojnë është vetëm një sepse nuk ka një mundësi tjetër, nuk ka një hapësirë tjetër për të thënë qetësisht të vërtetën tënde në një mjedis ku e vërteta shqelmohet pa pushim dhe ku faktikisht edhe sot që flasim unë akoma nuk kam parë, shpresoj që ta shikoj, që një, dy, tre, që mos bëhem shumë optimist, media të kërkojnë dhe të tregojnë ka prova apo s’ka prova”, tha Rama.
Sepse, shtoi kreu i qeverisë, “të thuash blerje online 800 mijë euro për bizhu dhe për fustane, ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustan dhe nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në një dhomë paraburgimi duhet minimalisht të tregosh fustanet dhe bizhutë. Provat. Dhe nuk kemi më ne as çfarë diskutojmë as çfarë vëmë në dyshim. Provat. Është shumë e thjeshtë”.
Prandaj, shtoi Rama, “i kërkoj edhe njëherë medieve që të bëjnë mundësisht hulumtimin për provat. Në atë roman 400 faqesh nuk ka prova, ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar dhe të ndërlikuar me gjithfarëlloj personazhesh shkak-pasojë, por nuk ka prova”.
“Dhe një element të thjeshtë që unë e di. Aty thuhet që Erion Veliaj ka bërë zv/ministre gruan e një biznesmeni pasi ky i fundit e ka marrë me avion diku. Nuk di a ka pasur një udhëtim më parë, por që të arrish në konkluzionin që zv/ministrja është vendosur si rezultat i atij udhëtimi, këtë mund ta bësh në dy rrugë, ose me shkollën e Sigurimit të Shtetit. “Çfarë bëjë ti në veturën e ambasadës Jugosllave?”. E dini historinë e veturës së ambasadës Jugosllave. Ose ta kesh të provuar bisedën e të gjitha. Ndërkohë që zv/ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale është vendosur aty me kërkesë të ish-kryetarit të Kuvendit, Ma kërkoi mua personalisht, kur ishim në koalicion. Më ka kërkuar që të flas me Erionin dhe të vendoset kjo grua, që unë nuk e njihja, nga shoqëria civile e ku e di unë se çfarë, sepse është pranë nesh, por është e pavarur dhe është vajzë e mirë etj. S’kam asnjë rezervë, asnjë problem. Nuk po e sjell këtu se këtu nuk ka asnjë fajësi. Normal fare, siç bëhen koalicionet dhe siç bëhen bisedat. Kjo është e vërteta”, tha Rama.
“Tani si mund ta shkruash ti në një aktakuzë penale këtë. Dhe të tilla ka plot. Provat janë ato që e ndajnë këtë punë”, u shpreh Rama. /j.p/