Procesi ndaj Veliajt, Rama: Dëshmitarëve u është treguar godina e burgut, nuk u regjistruan gjatë marrjes në pyetje

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar gjatë procesit hetimor ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj janë kërcënuar dhe nuk janë regjistruar gjatë marrjes në pyetje.
Rama u shpreh se, “çfarë Klotilda tha është beteja e saj nuk është beteja jonë. Çfarë është beteja jonë janë standardet”, tha Rama.
“Unë për shembull jam dëshmitar dhe jam gati të dëshmoj. Janë intimiduar njerëz. I kam takuar unë, kam folur unë me ta. Dhe pse? Pa asnjë lidhje me Erionin. Për shkak se janë njerëz në botën e artit dhe të kulturës dhe dikush më ka thënë që filani është në gjendje të rëndë psikologjike. Një artist se e kanë marrë, e kanë kërkuar, nuk e kisha takuar asnjëherë. E njoh kush është, është një personalitet. E kam kërkuar, nuk kishte telefon. Ia kishin marrë telefonin dhe s’ia kishin kthyer më”, tha Rama.
“Ku jemi këtu ne? Dhe e kam marrë me telefonin e gruas. Dhe kam dëgjuar nga ana tjetër e telefonit një grua që vetëm qante. Dhe pastaj jam takuar me personin. Po ju them që mua personalisht më ka ardhur turp, mua, kur kam menduar që sot unë jam kryeministër dhe ndjehem i pafuqishëm karshi një rasti, karshi një personi që më ka kujtuar veten time. Unë pak më i prapë se ai se nuk u shokova psikologjikisht kur më morën atëherë dhe më çuan këtu tek “Braka” dhe jo po këtu, jo po aty, jo po familja, jo po nderi. Ndërkohë që ma thoni dot ju mua një person. Nuk figuron ai prandaj po flas se po të ishte në emrat nuk do ta përmendja, nuk figuron fare, s’ka lidhje, nuk figuron fare, është një person nuk e di që për çfarë është thirrur madje, për arsye të aktiviteteve kulturore”, u shpreh ai.
“Abuzimi me pavarësinë është real. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç me karrocë në rrugë dhe t’i thuhet: hajde me ne. Si mund t’i tregohet dikujt nga dritarja: e shikon atë godinën atje. E di çfarë është ajo?. Nga ta dijë ai, është profesor, njeri i artit, njeri që ka nderuar Shqipërinë? Nga ta dijë ai? I thuhet: është burgu ai, atje mund të përfundosh dhe mendo për djalin tre vjeç”, deklaroi Rama.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Rama shtroi pyetjen se pse në sistemin e drejtësisë nuk regjistrohen dëshmitarët, kur ai është një ndër sektorët me më tepër mbështetje buxhetore.
“Vijmë te standardet. Si ka mundësi Ulsi, ministri i Drejtësisë dhe të gjithë ju njerëzit e drejtësisë, ju këtu, dhe ti kryetari i Komisionit të Financave që kjo shumicë qeverisëse ka miratuar fonde. Dy fonde janë në buxhetin e shtetit shqiptar që janë jashtë trajektores normale fondi i mbrojtjes dhe drejtësisë. Paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë në historinë e këtij shteti për drejtësinë dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat që bëjnë me personat që marrin në pyetje dhe mbajnë personat në pyetje me orë të tëra. Se kam vajtur dhe unë një herë atje, unë flisja dhe njëri i binte makinës daktilografike”, deklaroi Rama.
/gj.m/j.p/