Shoqëria & Kultura | 13.08.2010

"Në këtë ditë përpiqem të bëj sa më pak gjëra të rëndësishme që të jetë e mundur. Avionit nuk i hip me siguri me datën 13. Dhe makinës i jap vetëm, kur është e domosdoshme. Po okay në punë shkoj."
E premtja data 13 është për Susanne Euenin një ditë e çuditshme. Arkitektja nga Halle mbi Zale i beson misterit, që lidhet me këtë datë, megjithëse asaj nuk i ka ndodhur ndonjëherë gjë e keqe të premten me 13. Për 33 vjeçaren është më tepër një ndjenjë, që është e vështirë të përshkruhet.
"Unë nuk jam supersticioze, për macet e zeza nga e majta, për shkallët, nën të cilat gjoja nuk u dashka të kalosh, apo për pasqyrat e thyera, të gjitha këto më duken budallallëqe. Horoskopët i lexoj. Por nga e premtja me 13 kam disi frikë. Se përse nuk e di me të vërtetë."
Susanne Euen pra nuk u beson bestytnive, kështu mendon ajo së paku. Marrjen në dorëzim në njërin prej kantiereve të ndërtimit e ka bërë para së premtes me datë 13, e ka bërë të entjen me 12. Më mirë të jem e sigurtë, thotë ajo.
Një shkak, që të vërtetojë frikën nga kjo datë gjoja kaq mistike, nuk gjendet dot. Të premten me 13 sipas statistikave nuk ndodhin as më shumë dhe as më pak aksidente dhe fatkeqësi se në çdo ditë tjetër. Por psikologu nga Lajpcigu Thomas Teubel donte ta dinte tamam. Sportistët janë shumë supersticiozë - mendon ai - dhe të përshtatshëm për teste.
"Ne morëm si shembull një lojë golfi, që e bëmë në një të premte me datën 13. Dhe thamë sot është e premte data 13 dhe tani duam të shohim njëherë, nëse kjo sjell me të vertetë fatkeqësi. Dhe këtë e bëmë edhe një ditë tjetër me 13 dhe nuk pati ndonjë ndryshim në shënimin e pikëve."
Pra u vërtetua e kundërta, teza që kundërshton paragjykimin që data sjell fatkeqësi. Por kjo nuk i jep fund bestytnisë. Paragjykimi mbetet. Ai është kokëfortë, e premtja me 13 në këtë kombinim të posaçëm ekzisiton që prej 80 vjetësh.
Besimi trashëgohet dhe përforcohet
E premtja tek të krishterët ka gjithnjë emër të keq. Sipas biblës në këtë ditë është kryqëzuar Krishti. Edhe Adami dhe Eva hëngrën një të premte frutin e ndaluar. 13-ta nga ana tjetër konsiderohet si numri i djallit, sepse "i trembëdhjeti" ishte Juda, tradhëtari. Kaq për historinë e legjendës. Ditë fatkeqësie kombinimi i ditës së javës dhe numrit është bërë ndoshta në SHBA. Këtu e premtja 13 mori kuptimin e saj të veçantë përmes kreshit të dytë të madh të bursës në vitin 1927 i quajtur edhe e premtja e zezë. Pas humbjeve të mëdha financiare shumë spekulantë të bursës u hodhën nga dritaret e grataceleve të Wall Street-it, saqë thuhej se trotuari nuk ishte më i sigurtë për kalimtarët. Dikur në vitet 1950-të teoria e fatkeqësisë kaloi oqeanin dhe mbërriti në Evropë dhe reziston që atëherë me vendosmëri. Thomas Teubel, shkencëtari, nuk mund të thotë shumë për sfondin kulturor historik. Ai preferon t'u referohet fakteve dhe psiqikës së njeriut, që sipas mendimit të tij i transmeton brez pas brezi ritualet e bestytnive.
"Eshtë një koncept, që ekziston në shoqëri dhe kështu edhe transmetohet. Kur prindërit e mi dhe rrethi im shoqëror e kanë këtë koncept në një farë mënyre ai kalon edhe tek unë. Dhe pastaj nëqoftëse me të vertetë ndodh diçka të premten me datë 13, mund të ndodhë, që unë ta mbivlerësoj. Atëherë kjo kthehet në profeci, që plotësohet vetvetiu."
Pra kush beson me të vertetë se do t'i ndodhë diçka e keqe një të premte me 13, atëherë e keqja do ta gjejë, në se jo sot, por ndoshta herën tjetër. Fatkeqësitë e vogla dhe aksidentet e mëdha janë pjesë e jetës. Në një datë e caktuar ata nuk ndodhin me siguri qind për qind. Dhe kur njerëz si arkitektja Susanne Euen mundohen t'i ikin çdo rreziku në atë ditë të pafat, humbasin në fund diçka të mrekullueshme.
"Kështu ju nuk do të provoni kurrë, që kjo ditë është krejtësisht normale, si çdo ditë tjetër. Dhe kështu kjo mënyrë të menduari stabilizohet. Dhe kur do të vendosësh që në këtë ditë të bësh biznese të mëdha, apo të ndërmarrësh një udhëtim fare të zakonshëm, atëherë do ta vësh re, që kjo e premte me datë 13 nuk ka pasur asnjë ndikim."
Autor: Ronny Arnold/Ina Verbica
Redaktoi: Auron Dodi