Shoqëria & Kultura | 16.07.2010

Piktori Michelangelo Merisi (1573-1610) i cili në vendlindjen e tij quhej Caravaggio, njihej si njeri i dhunshëm dhe klient i përhershëm i gjykatave romake. Për shkak të një basti të humbur, filloi njëherë një sherr dhe vrau një nga shokët e tij të pijes. Caravaggios iu desh të arratisej nga Roma, u soll vërdallë vazhdimisht, pikturoi disa vepra fantastike për t'u hedhur më pas në qeli. Pas lirimit nga burgu vdiq në mjerim në 18 korrik 1610, në moshën 36 vjeçare.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: "Shitësi i frutave" nga Caravaggio.
Sot, 400 vjet më vonë, Caravaggio vlerësohet si përfaqësuesi më i mirë i barokut të hershëm. Ekspozitat e tij tërheqin qindra mijëra vizitorë. Vetëm në Romë rreth 580.000 vetë vizituan këtë pranverë një ekspozitë në muzeun "Le Scuderie del Quirinale".
Me realizmin e tij ekstrem, Michelangelo Merisi kapërceu stilin e ngurtë të epokave të kaluara dhe me pikturën mjeshtërore të personazheve dhe efektet dramatike dritë-hije, arriti një prani gati fantomatike të skenave të paraqitura.
Piktori lindi në vitin 1573 në fshatin e vogël Caravaggio të Lombardisë. Pas kohës së mësimit në Milano dhe Venezia, ai shkoi në Romë me një trashëgimni të vogël, pikërisht në kohën kur lëvizja anti-reformatore kishte shkaktuar një boom në ndërtimin e kishave.
Bildunterschrift: "Kapja e Krishtit" ose "Puthja e Judës" nga Caravaggio.
Artisti i ri i tërhoqi vëmendjen kardinalit me influencë Francesco del Monte. Del Monte luajti me dëshirë rolin e filantropit, i ofroi piktorit të ri të talentuar dhe ambicioz strehë dhe ushqim në pallatin e tij. Ai i siguroi dhe porosinë që do ta bënte të famshëm: Caravaggios iu dha detyra të zbukuronte me skena nga jeta e apostullit Mateo, kishën San Luigi dei Francesi.
Gjeniu i ri zhvilloi qysh atëherë teknikën e tij të veçantë "chiaroscuro" (errësirë e ndriçuar), e cila do të përdorej më vonë nga piktorë holandezë si Rembrandti.
Drita e pjerrët e kësaj teknike tërheq vëmendjen tek njerëzit në pikturat e tij dhe krijon një kontrast dramatik me errësirën e thellësisë së ambjentit përreth, çka bën që figurat të duken shpesh si në reliev.
Kryeveprat e tij të hershmë e futën Caravaggion shpejt në konflikt me skenën e etabluar kulturore të kohës. Porositësit klerikë i kthyen mbrapsht pikurat e para të apostujve si tepër "njerëzore".
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: "Madonna dei Palafrenieri" pikturë në vaj e vitit 1605 - portretet realiste të figurave fetare zemëruan klerikët katolikë të kohës.
Disa estetë edhe sot i shohin me përbuzje shkulmet e gjakut që burojnë nga trupat e martirëve të pikturuar nga Caravaggio dhe paraqitjen realiste deri në çoroditje që u bënte ai njerëzve në telajot e tij.
Por Caravaggio donte ta paraqiste Madonën dhe shenjtorët si njerëz të vërtetë, dhe jo si figura të idealizuara, larg botës reale.
Megjithatë për hir të gjenisë artistit iu falën shumë gjëra, me përjashtim të karakterit gjithnjë e më të dhunshëm. Me shpatë dhe kamë vërtitej ai në rrugët e Romës duke kërkuar sherrin. Pak pas vdekjes që pasoi lirimin nga burgu, mbërriti një dekret faljeje nga Roma.
Varri i tij konsiderohet i humbur. Por pak para 400 vjetorit të vdekjes studiues të universitetit të Bolonjës kanë identifikuar eshtrat e Caravaggios në një varrezë në Porto Ercole.
Autor: epd/xhani
Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi