Shqipëria 1990 | 17.07.2010

Një racion spageti me kërpudha porosit klienti i porsaardhur. Me kënaqësi, thotë Drini Sakollari dhe i thërret nga tarraca e lokalit kuzhinieres. Machst du bitte eine Spaghetti mit Champigons! Pastaj i sjell myshteriut një kupëzë me ullinj dhe bukë të bërë vetë. Pane e vino është italiani më i mirë i zonës, shkruajnë në internet klientët për lokalin e Drinit. Pak njerëz e dinë që piktura e vajit që zë gati një faqe muri në të majtë nuk është nga bregdeti i Puljas, por nga vreshtat e Radhimës. Aty kam bërë stazhin pasi mbarova maturën në Vlorë, thotë Drini.
Ai është mësuar me intervista. Nganjëherë vijnë gazetarët e televizioneve që i kanë selitë përreth për t'i marrë gastronomit italian ndonjë koment për futbollin ose modën italiane. Të them ç'të duash për futbollin italian, që nga vitet 70-të e deri më sot, por italian nuk jam, u thotë ai. Por gazetarëve nuk u intereson prejardhja e Drinit, ata vazhdojnë intervistën.