Shoqëria & Kultura | 21.06.2010

Çështja e emigrantëve ilegalë në Itali nuk po përcillet më me vëmendje kaq të madhe, sepse para një viti qeveria italiane ka ndryshuar politikën e saj. Që prej një viti, Italia i drejton menjëherë të gjitha anijet me refugjatë drejt Libisë, ende pa mbërritur në tokën e saj. Kritikat e vetme tani vijnë nga kishat dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
Laurens Jolles, përfaqësues i Komisaritit të Lartë të OKB-së për refugjatë për Evropën Juglindore shprehet: "Problemi me dëbimet është që dëbohen të gjithë dhe nuk ekziston asnjë mundësi që të kujdesemi për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë - kjo është më e keqja."
Bildunterschrift: Refugjatë sudanezë
Shumë prej tyre nuk kanë asnjë shans që të paraqesin kërkesë për azil, dhe kjo është në kundërshtim me Konventën e Gjenevës për refugjatët. Njerëzit që mbërrijnë në Detin Mesdhe dhe kërkojnë ndihmë, detyrohen menjëherë të largohen me anije për në Afrikë. Politika ndaj refugjatëve në Itali e ka bërë udhëtimin e njerëzve në nevojë edhe më të rrezikshëm, sepse ata përpiqen tani që të vijnë me anije të vogla, të cilat mund të përmbyten shumë lehtë.
Gianfranco Schiavone i tryezës së rrumbullakët kombëtare për çështjet e azilit shpjegon: "Sot shumë refugjatë nuk ia dalin fare të mbërrijnë në Itali. Ose nuk mund të nisen fare nga Libia, ose kapen në det dhe dëbohen menjëherë. E qartë është vetëm që ata ikin nga vendet e tyre, sepse atje kërcënohen nga përndjekjet dhe problemet e luftës."
Italia vendi për një fillim të ri?
Kjo përdoret shpesh prej Libisë si argument për presione në negociatat me vendet evropiane. Italia ka nënëshkruar me Libinë para një viti një marrëveshje miqësore ku bëhet fjalë për naftë, ndërtimin e autostradave dhe për refugjatë, ndonëse nuk dihet se çfarë është shënuar për këtë çështje. Sidoqoftë, prej atëherë anijet ushtarake të Libisë vijnë dhe ndërhyjnë madje deri pranë brigjeve të Italisë apo Maltës. Se si trajtohen refugjatët prej ushtarëve, as kjo nuk dihet. Në Libi nuk ekziston e drejta e azilit, por dihet se ka shumë kampe. Para dy javësh nga atje është dëbuar edhe zyra e UNHCR-së.
Bildunterschrift: Migrantë afrikanë në varkë
Laurens Jolles shpreson se ata do të mund të kthehen. "Shpresoj që kjo të jetë vetëm një gjendje e përkohshme. Atje kemi qenë prezent 19 vjet. Edhe pse puna ishte e vështirë, pak gjëra kemi mundur të bëjmë për refugjatët."
"Home vendi për një fillim të ri" - ishte motoja e këtij viti në ditën e refugjatëve. Por një fillim të ri në Itali mund të shpresojnë shumë pak njerëz. Bernardino Guarino nga Centro Astalli pohon: "Mbrojtja përmes azilit i mundësohet vetëm disa mijëra refugjatëve, rreth gjysmës së atyre që arrijnë të paraqesin kërkesë. Pritet që këtë vit të ketë gjithsej vetëm rreth 5.000 deri 6.000 kërkesa për azil."
Autor: Stefan Troendle/ Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama