E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria-Kultura | 13.03.2010

Xuan Shen qëndron deri vonë në mbrëmje në dyqanin e tij, pranë Medresesë, në Tiranë. Më tepër se dyqan ai duket si një magazine mallrash pa fund, që nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin: pranë rrobave Made in China të markave të famshme Versace, Armani, Max Mara, Benetton, etj., janë ekspozuar bizhuteri, çadra dielli dhe shiu, bateri, lojra fëmijësh, enë plastike, abazhurë, pasqyra etj. E vetmja gjë që duket se i bashkon këto mallra është se nuk peshojnë, janë të lehta. Kjo është e kuptueshme po të përfytyrohet që këto mallra mbërrijnë në Tiranë nga Kina e largët dhe kostoja e transportit varet nga pesha e tyre. Me shqipen e tij Xuan Shen tregon se ka shumë vite që jeton në Tiranë dhe merret me tregtinë e mallrave kineze. "Kam shtatë vjet këtu. Tirana mirë. Nuk ka problem. Jam mirë këtu - thotë ai.

Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Made in China - Dyqan me mallra kineze në Tiranë

Xuan Shen thotë se shkon vetëm një herë në vit në Kinë për t'u furnizuar me mall dhe takuar prindërit, se nuk fiton shumë, por jeton i qetë dhe nuk ka probleme me policinë dhe vendasit. Në Kinë ishte i papunë kurse në Tiranë është i vetëpunësuar dhe diçka fiton. Megjithatë kriza është ndjerë fort në xhepat e tij. Që kur ajo u shfaq vitin e kaluar, ai qëndron gjatë në dyqan edhe kur për orë të tëra asnjë klient nuk kapërcen derën e tij. Kur e pyes sa mallra shet dhe sa orë në ditë punon ai thotë: Pak fare, pak. Rri 12 orë, filloj në shtatë të mëngjesit deri në 6 pasdite.

Regjistri elektronik i të punësuarve të huaj kusht për liberalizimin e vizave

Po kaq orë sa Xuan Shen punon edhe Li Bing, një grua kineze rreth të 30-ve që ka dyqanin e saj në të njëjtën zonë, pranë Medresesë, në Tiranë. Ajo erdhi nga Kina para dy vitesh dhe pati probleme për të marrë lejen e punës për shkak të mungesës së dokumentacionit. Li Bing i kthen shpinën aparatit fotografik dhe nuk dëshëron që bisedën tonë ta regjistroj. Por tani emri dhe gjithë të dhënat e saj janë në regjistrin e sapopërfunduar elektronik të të punësuarve të huaj në Shqipëri. Hartimi i këtij regjistri ka qënë një nga kushtet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Në raportin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pranë Ministrisë së Punës, Çëshjeve Sociale dhe Shanseve të barabarta, raportohet që numri i të huajve të punësuar në Shqipëri, me lejeqëndrimi dhe pune është rreth 6 mijë. Kinezët zenë vendin e parë, të ndjekur nga turqit, italianët, grekët por nuk mungojnë maqedonas, pakistanezë dhe rumunë.

Kur ata nuk kanë sipërmarrjen e tyre punësohen tek sipërmarrësit shqiptarë, të cilët preferojnë njohuritë e tyre teknike më të mira se ato të krahut vendas të punës.

Ku janë të punësuar të huajt në Shqipëri?

Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Jo më anonimitet - të huajt e punësuar në Shqipëri rregjistrohen nga autoritetet.

Kualifikimi më i mirë teknik i bën të huajt që vijnë për t'u punësuar në Shqipëri të preferohen në sektorin e shërbimeve, të tregtisë, konfeksioneve, lojrave të fatit. Dhënia prioritet investimeve të huaja nga qeveria e Tiranës, sjell edhe rritjen e kërkesave të të huajve për t'u punësuar në Shqipëri. Zhvillimi ekonomik në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha si Durrësi, Elbasani, Vlora, Fieri ka zgjeruar sektorët e punësimit të të huajve edhe në shërbime hotelerie, apo si kuzhinierë, kamarierë kryesisht nga Italia, Greqia por nuk mungojnë as ata nga Kosova. Mundësitë që hap ekonomia e tregut e kanë përfshirë edhe Shqipërinë në hartën e vendeve ku të huajt kërkojnë të punësohen, dukuri që sjell përfitime të ndërsjellta.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›