E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqërimi në polici i gazetares, reagon Zef Prendrecaj

Një ditë pas shoqërimit në polici të gazetares së gazetës “Kosova Sot”, vjen edhe reagimi i Zef Prendrecaj, Drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Më poshtë gjeni reagimin e Prendrecajt.

Reagim ndaj shkrimit të gazetës “Kosova sot” të datës 14 janar 2013, me titull: “Skandaloze: Prokurori Prendrecaj urdhëron prangosjen e gazetares Entleva Skonja”, ndaj storjes së përgatitur lidhur me këtë çështje të shfaqur në lajmet qendrore të mbrëmjes në ora: 19.30 në Radio Televizionin Publik të Kosovës, të datës 14 janar 2013, në lajmet e mbrëmjes në Radio Televizionin 21 të datës 14 janar 2013 dhe ndaj shkrimit në Gazetën “Kosova Sot”, të datës 15 janar 2013, me titull: “Arrestimi i fjalës së lirë”.

Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, mbrojtjes së integritetit tim personal dhe familjar, mbrojtjes së imazhit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, reagoi kundër informacioneve të publikuara në media e lartë cekura të cilat kanë informuar opinionin publik në mënyrë jo të saktë lidhur me rastin në fjalë.

Informoj qytetaret e Kosovës, se asnjëherë deri me sot nuk kam qenë i emëruar si prokuror. Pozita ime aktuale është Drejtor i Zyrës së Prokurorit Disiplinor. Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD), ka mandat ligjor të hetoi sjelljen e mundshme të pahijshme të kryer nga ana e gjyqtareve, gjyqtareve porotë dhe prokurorëve në Kosovë dhe jo veprën penale.

Me datën 14 janar 2013, gazetarja Znj. Entleva Skonja ka kërkuar nga unë si drejtor i ZPD-së, takim për të biseduar zyrtarisht lidhur me çështjet që lidhen me punën e ZPD-së. Në fillim të bisedës kam dyshuar se, gazetarja Skonja përmes një aparati në formë të një çelësi të automjetit po incizonte pa më pyetur fare dhe pa marrë autorizimin tim. E kam pyetur gazetaren nëse ajo po incizonte, kurse ajo ka mohuar duke thënë se në dorë kishte një çelës të automjetit. Në atë moment në zyrë ka hyrë një punonjëse e administratës së ZPD-së nga e cila kam kërkuar ta ftoi sigurimin e ndërtesës. Nga sigurimi civil i ndërtesës kam kërkuar që gazetaren Skonja ta largoi nga zyra ime sepse kam dyshuar se po më incizonte pa autorizim. Sigurimi civil i ndërtesës ka informuar pjesëtaret e policisë të cilët e sigurojnë objektin lidhur me rastin. Unë nuk kam dhënë asnjë urdhër, as për ndalje dhe as për shoqërimin e gazetares Enteleva Skonja. Kjo nuk ka qenë asnjëherë kompetencë e imja si drejtor i ZPD-së. Kjo është e vërteta lidhur me këtë rast./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›