E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi 2 mijë serbë duan targa RKS

Valdrin Krasniqi

Serbët që jetojnë në Kosovë, e që veturat i kanë ende me targa të RFJ-së, si PR, GL, KM etj, kanë nisur të pajisen me targa të Republikës së Kosovës.

Janë mbi dy mijë qytetarë, shumica prej tyre serbë që tani po bartin targa të përkohshme të RKS-së.

Në vend të numrave të regjioneve si p.sh: 01, 02, atyre në targa u shkruan RP, që do të thotë Regjistrim i Përkohshëm.

“Targat e RP janë regjistrim i Përkohshëm. Këto targa jepen për qytetarët serbë që kanë aplikuar t’i regjistrojnë automjetet e tyre me dokumente të ish RFJ-së të lëshuara pas datës 10 Qershor 1999, e që mbajnë targa PR, GL,KM etj”, thotë Behar Haziraj, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ai tha se, targat RP kanë filluar të lëshohen në nëntor të vitit 2012, ndërsa aplikimet për këtë procedurë kanë filluar t’i bëjnë nga 2 qershori i vitit 2012. Kjo procedure është rregulluar me Udhëzimin Administrativ 38/2012-MPB.

Nga 2 qershori deri me 30 dhjetor kanë aplikuar 2 mijë e 160 qytetarë që shumica janë serbë dhe pjesa më e madhe e tyre, tani janë pajisur me targa të përkohshme.

E derisa serbët kanë filluar të pajisen me targa RKS, institucionet e vendit ende e mbajnë në fuqi udhëzimin administrativ për regjistrimin e automjeteve në KS.

“Targat KS ende lëshohen për Serbet, bazuar në Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e Automjeteve nr. 31/2012-MPB.”, thotë Haziraj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›