E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqërohen 50 vetë për vrasjen e taksistit

Burime pranë grupit të hetimit janë shprehur se prej të enjtes së kaluar, në 8 janar, kur e gjet edhe trupi i karbonizuar brenda makinës së tij të djegur, janë shoqëruar rreth 50 persona. Të shoqëruarit dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen 

TIRANE- Skuadra e zbulimit të vrasjeve në Policinë e Tiranës shënon numër rekord për personat e shoqëruar për ekzekutimin dhe djegien e kufomës së taksistit Ramazan Hyka. Burime të besueshme pranë grupit të hetimit janë shprehur se prej të enjtes së kaluar, në 8 janar, kur e gjet edhe trupi i karbonizuar brenda makinës së tij të djegur, janë shoqëruar rreth 50 persona. Të shoqëruarit mësohet se kanë qenë kryesisht persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ka pasur edhe të dyshuar konkretë për krimin makabër. Babai i dy fëmijëve u zhduk mbrëmjen e 7 janarit, rreth orës 20:00, kur ai i kishte telefonuar së shoqes duke i thënë se po çonte një porosi në Farkë, në Lindje të Tiranës. Autorët e kishin ekzekutuar më parë me 6 plumba dhe më pas kanë dashur të zhdukin kufomën dhe makinën duke i hedhur në liqenin e Farkës. Në një rrugë dytësore, teksa i afroheshin liqenit, automjeti tip 'Benz' 190 i viktimës ka ngecur në baltë. Në pamundësi për ta çuar te liqeni, autorët i kanë vënë flakën makinës, në bagazhin e së cilës ndodhej i ekzekutuar trupi i taksistit. Viktima bënte një jetë të rregullt. Ditën punonte në ndërtim, ndërsa në mbrëmje dilte si taksist, edhe pse nuk kishte licencë. Kolegët e tij e Rrugës së Elbasanit, deklaruan pas krimit për Gazetën, se Hyka punonte më shumë me porosi që i merrte me telefon.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›