Shou policor në qendrën e jahteve në Orikum
VLORË/ PORTI I JAHTEVE
VLORË - Një kontroll i befasishëm është kryer në portin e jahteve në Orikum që në orët e para të ditës së premte, ndërsa mësohet se ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes. Forcat RENEA, si dhe qen të antidrogës janë parë në aksion duke kryer kontrolle të shumta të jahteve.
Gjithçka ka nisur rreth orës 01:00 të mëngjesit teksa ka vijuar edhe përgjatë gjithë ditës, por edhe mbrëmjes së të premtes. Prokurorë dhe punonjës të policisë së shtetit kanë mbajtur nën vëzhgim portin e jahteve në Orikum.
Burime që nuk duan të identifikohen, bëjnë me dije se bëhet fjalë thjesht për një procedurë verifikimi dokumentacionesh.
Në mbështetje të këtyre veprimeve të kryera nga policia e Vlorës dhe prokuroria, kanë qenë edhe forcat RENEA.
Policia ka qëndruar gjatë gjithë kohës gojëmbyllur lidhur me motivin, teksa nga ana e prokurorisë është bërë e ditur se bëhet thjesht fjalë për verifikim dokumentesh, gjë që nuk mund të justifikohet me mbërritjen e forcave speciale, si dhe me qentë antidrogë në port.
Sipas burimeve nga vendngjarja, grupi i punës ka marrë informacion edhe për lëvizjet që kanë kryer mjetet lundruese. Aty është këmbëngulur të mësohej për lëvizjet më të fundit që kishin ndodhur në port, cili ka qenë mjeti i fundit që ka lëvizur nga porti, kohën se kur etj.
Në orët e vona u deklarua se pas kontrollit ishte gjetur vetëm një velierë me mungesë dokumentacioni, e cila i përkiste një shtetasi italian, teksa sot në mëngjes pritet që të rifillojë kontrolli i jahteve të tjera.
Në portin e jahteve ndodhen rreth 35 të tillë, në det dhe në tokë. Jahtet që ndodhen në port, në Orikum, janë në pronësi të shtetasve italianë, por edhe të tjerë emrave të njohur në Shqipëri, si biznesmenit Artan Dulaku, pronar i Vizion Plus etj
Sipas të dhënave, te porti i jahteve ndodhet edhe mjeti i Eduard Belegut (ish - këshilltari i ministrit të Energjitikës, i akuzuar për korrupsion), po kështu ndodhen edhe jahte të deputetit të PDU-së Dashamir Tahiri (i cili është një biznesmen i cili ka bashkëpunuar me konsorciumin për petroliferën), apo edhe disa biznesmenëve shqiptarë si Artan Mene - president i AM Group dhe Dritan Dulakut, ndërtues.
Rojet private të portit nuk kanë lejuar dje mediat të futen brenda portit të jahteve, duke sqaruar se kanë pasur një urdhër nga prokuroria, për të mos lejuar asnjë person në territoret brenda tij. Porti i Jahteve në Orikum është nën administrimin e "Giorgi Alfo shpk".