Gjyqtarët, dështon skema për 'zëvendësimin' e KLD
TIRANË - Takimi i djeshëm mes gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë, i konsideruar nga disa folës edhe si mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare apo si Mbledhje Gjyqtarësh, nuk arriti numrin e mjaftueshëm të pjesëmarrësve në këtë takim për të vendosur se çfarë rruge të ndjekin për zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilëve i ka mbaruar mandati.
Pas shumë debateve mes gjyqtarëve dhe interpretimeve të ndryshme, në fund të takimit u vendos në unanimitet të plotë të mandatohet kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, që në një kohe sa më të shpejtë të thërrasë Konferencën Gjyqësore Kombëtare (KGJK-n) për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së.
Pas këtij mandatimi, kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Beçaj, caktoi një grup pune për hartimin e projekt rregullores për funksionimin e KGJK-së që do t`i paraqitet për miratim kësaj Konference ditën e mbledhjes së saj. Ndërkohë, ftesës së krerëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit në vend, për takimin e ditës së djeshme iu përgjigjën vetëm 119 gjyqtarë nga rreth 365 që janë në detyrë në gjithë Shqipërinë. Mungesa e mbi 246 gjyqtarëve, bëri që mbledhja të "dështonte" për krijimin e komisionit të votimit dhe më pas hedhjen në short të votimit për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare (KGJK-së) me ose pa ligj. Edhe pse nuk u arrit numri i mjaftueshëm për ta vendosur në votim këtë propozim, në sallën e Akademisë së Arteve ku u zhvillua mbledhje pati debate dhe interpretime të ndryshme të neneve të Kushtetutes mbi çështjen.
Debatet mes gjyqtarëve, u ndanë në dy kampe, njëri krah për mbledhjen e KGJK-së edhe në mungesë të një ligji me ndihmën e një projekt-rregulloreje dhe krahu tjetër për mos mbledhjen e KGJK-së pa u miratuar ligji në Kuvend. Dy qëndrimet e ndryshme mes gjyqtarëve, ndanë në dysh edhe shoqatat e gjyqtarëve, atë të Unionit të Gjyqtarëve që ishin pro mbledhjes së KGJK-së edhe në mungesë të ligjit dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve që ishte kundër. Gjatë diskutimeve të lira gjyqtarët, përveç se debatuan në lidhje me mbledhjen ose jo të KGJK-së, drejtuan akuza konkrete edhe ndaj krerëve të Shoqatave të Gjyqtarëve. Disa nga të pranishmit, u shprehën me tone të ashpra dhe herë-herë edhe fyese ndaj drejtuesve të Shoqatave të Gjyqtarëve, duke i akuzuar ata si të pa mandatuar nga gjyqtarët, por, vetëm nga interesat e tyre personale.
Kushtetuta përcakton se KLD-ja përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme. Aktualisht ne KLD jane 4 vende bosh dhe per pasoje gjithe vendimin e ketij institucioni behen te pavlefshme.
Në këtë takim që zhvillohet pas 5 vjetësh kanë folur gjyqtarë të ndryshëm që kanë vlerësuar se mbledhja e Konferencës Gjyqësore është një domosdoshmëri. Artur Kalaja, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, tha se nuk ka vend për aludime kundërvëniesh mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Konferencës Gjyqësore.
Ajo ç'ka rëndësi sipas tij është konkludimi i problematikave të lindura në këtë sistem gjatë kësaj mbledhje të organizuar pas një periudhe 5-vjeçare.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj është bërë avokate e gjyqtare duke deklaruar se ata s'jane të korruptuar. "Ne nuk kemi një sistem të korruptuar, por individë brenda tij që duhet t'i evidentojmë dhe t'i vëmë para përgjegjësive për t'iu larguar imazheve negative për këtë sistem", tha ajo.
Për problemet në gjyqësor ajo tha se "janë probleme të reformimit të sistemit gjyqësor, ritmi i të cilit duhet të përshpejtohet dhe përshëndesim angazhimin e presidentit të Republikës për këtë proces", tha Beçaj.
Sipas saj reforma në drejtësi mbetet pikë kyçe në funksion të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor dhe nga vështirësitë që ky proces ndesh, parashikohet që të jetë një rrugë e gjatë.
Në fund e përfundoi fjalën e saj duke kërkuar më tepër angazhim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë si edhe mbështetjen me më shumë buxhet nga ana e qeverisë për gjyqësorin.