Shpallen çmimet e ‘Kultit’

Juria e fushave përkatëse përzgjodhi dhjetë fitues nga dhjetë fusha të artit, ndërkohë që një juri nderi, e përbërë nga 84 personalitete të njohura të artit dhe kulturës shqiptare, dha fjalën përfundimtare për fituesit.
Me çmimin ‘Librit Artistik i Vitit’ u vlerësua “Shqipëria”, e shkrimtarit Ben Blushi. Në garë për këtë çmim ishin edhe Idlir Azizi, me romanin “Gazetarja e Kulturës Vetëvritet, Shpirti i Saj në Drejtim të paditur”; Rudian Zekthi, me përmbledhjen e poezive “Poezi Panair”; dhe Zija Çela, me romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”.
Çmimi i ‘Përkthyesi më i Mirë’ iu nda Drita Çitakut, për romanin e Orhan Pamuk “Muzeu i Pafajësisë”; si ‘Instrumentist i Vitit, u vlerësua Elda Laro, ndërkaq me çmimin ‘Kult’ për botimin enciklopedik më të mirë të vitit, u vlerësua “Gramatika Historike e Gjuhës Shqipe”, e studiuesit Kolec Topalli.
Si më të mirin në artin pamor, Akademia Kult përzgjodhi Arben Bajon, Sajmir Pirgu u shpall si më i miri interpretues lirik, ndërkaq Altin Basha si regjisor i vitit. Dy aktorët e përzgjedhur si më të mirët ishin Gazmend Gjoka, për rolin e tij në shfaqjen “Riverside Drive”, dhe Taulantia Jupi, për “Shtëpia e Bernarda Albës”.