Shpallen fituesit e “Skampa Dance Competition”
Gjergj Prevazi si koreograf dhe Elton Çefa si balerin, janë vlerësuar të shtunën me çmimet e para në "Skampa Dance Competition", festivali i kërcimit modern i organizuar për herë të parë në qytetin e Elbasanit. "Ky çmim i kushtohet brezit të pas viteve '90-të, të cilët me dëshirën dhe mundin e tyre i dhanë koreografisë shqiptare një frymëmarrje bashkëkohore", - u shpreh Gjergj Prevazi, koreografi i disa pjesëve konkurruese në këtë festival pas marrjes së çmimit. Balerini Elton Cefa, solist i trupës "Albania Dance Teatër", e cilësoi marrjen e këtij çmimi si një kënaqësi të veçantë dhe një impuls më shumë në profesionin e bukur dhe të vështirë të balerinit. Ndërkohë, kryetari i jurisë Agron Aliaj vlerësoi festivalin dhe trupat pjesëmarrëse, duke e cilësuar si "një nga evenimentet më të bukura të koreografisë shqiptare, që edukon shpirtin njerëzor". "Elbasanit iu shtua edhe një ngjarje kulturore, që shpresojmë të kthehet në traditë dhe të mbledhë koreografë shqiptare dhe të huaj", - u shpreh Aliaj, duke përgëzuar organizatorin e këtij festivali Artan Ibërshimi për këtë arritje profesionale. Aliaj ka vlerësuar gjithashtu artistët e rinj të baletit dhe trupat e huaja pjesëmarrëse në këtë eveniment. Sipas tij, veçanërisht, trupa holandeze "Netherland Dance Theater", e cila interpretoi natën e mbrëmshme, solli ajkën botërore të baletit. Në gjashtë ditët e konkurrimit të edicionit të parë të "Scampa Dance Competition" morën pjesë nëntë trupa baleti vendase dhe të huaja. Ky festival solli produksione të reja koreografike, përmes të cilave shprehet dinamika e progresionit të krijimtarisë dhe interpretimit koreografik. Ky aktivitet që filloi historinë e tij në vitin 2009, ka si qëllim dhënien e mundësive dhe kurajës për gjeneratat e ndryshme koreografike. I mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ky festival mendohet të shndërrohet në një traditë të përvitshme në qytetin e Elbasanit. fa.po