Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në zonat e përmbytura
Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e përmbytura te vendit, ku prej sot janë vënë në gjendje gadishmërie forcat e ushtrisë e të policisë.
Moti i keq dhe reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Shqipërisë në ditët e para të vitit të ri.
Dhjetëra banesa janë përmbytur në Ishull Shëngjin, Tale dhe Fushë-Kuqe të Lezhës, ndërsa përmbytje ka patur edhe në Shkodër si dhe në zonën e bregdetit në Durrës.
Shkak për vërshimin e ujërave të detit në zonën e Lezhës, është bërë batica detare, ndërsa jane dëmtuar edhe pritat e ngritura përgjatë bregdetit për të parandaluar situata të ngjashme.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Emergjencave Civile bëjnë të ditur se nga ana e Prefekturës janë marrë masat për normalizimin e situatës.
Kreu i qeverise Berisha vizitoi zonat e përmbytura dhe premtoi ndihmë dhe mbështetje për familjet e prekura.
Ndërkohë, gjendja paraqitet problematike edhe në qarkun e Shkodrës, ku mbi 100 shtëpi janë përmbytur dhe izoluar për shkak të reshjeve të ditëve të fundit.
Autoritetet lokale kanë mbledhur shtabin e emergjencës, që pritet të vendosë për evakuimin e banorëve të zonave më të rrezikuara si fshati Obot dhe komuna Ana e Malit.
Edhe në qarkun e Durrësit, shumë banesa në zonën e plazhit janë përmbytur gjatë ditëve të fundit.
Shkak është bërë bllokimi i nje kolektori, ndërsa drejtuesit e prefekturës bënë të ditur se shpejti do te kete nderhyrje ne zone duke prishur, sipas tyre, "ndertime mbi kolektorin e ujerave, me qëllim stabilizimin e situatës".