E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenaria e humbur

Kosova po vazhdon të jetojë me ëndrrën e përfundimit të procesit të parë zgjedhor si shtet.

I nisur më 15 nëntor, procesi nuk është mbyllur ende. As që pritet të mbyllet së shpejti.

Një histori e pazakontë për kosovarët, të cilët nëse një gjë e kanë bërë për së mbari gjatë pasluftës - kjo ka qenë me mbajtjen e zgjedhjeve.

Ankesat e shumta të depozituara në Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) për vjedhje votash dhe mashtrime nga të gjitha partitë, zbehën rëndësinë politike të këtij procesi.

Dhe, për më tepër, vonuan tempin e publikimit të rezultateve dhe certifikimit të tyre. I tërë procesi përgatitor sikur paralajmëronte atë që do të ndodhte më vonë.

Në pranverë, papritmas, Kryesuesi i KQZ’së, Zait Xhemajli dha dorëheqje në ditët kur Presidenti i Kosovës, në bazë të kompetencave kushtetuese, pritej ta shpallte datën e
zgjedhjeve.

Opozita akuzoi partitë në pushtet për ndikim politik në KQZ dhe strukturat ekzekutive të saj për faktin se edhe zgjedhja e Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të bëhej temë diskutimi.

Por gjërat u duk se u rikuperuan shpejt pasi që brenda dy ditëve, Presidenti Sejdiu gjeti te Nesrin Lushta, anëtare e Gjykatës Supreme të Kosovës, njeriun që duhej ta udhëhiqte organizimin e zgjedhjeve lokale.

Pak ditë më vonë, Sejdiu caktoi 15 nëntorin si datë të zgjedhjeve lokale, pasi që paraprakisht ai kishte vendosur që zgjedhjet parlamentare të mbaheshin në vitin 2011.
Kjo nxiti reagime nga ana e opozitës, e cila dispozitat e Pakos së Ahtisaarit i interpretonte në favor të kërkesës së tyre për t’i mbajtur sivjet edhe zgjedhjet e përgjithshme edhe ato lokale.

Me gjithçka që është përballur politika kosovare në vitin 2009, zgjedhjet kanë qenë busulla orientuese. Edhe kur është lëvduar pozita, edhe kur ka kritikuar opozita, edhe kur kanë alarmuar ndërkombëtarët.

Për herë të parë në histori të vet, Kosova nuk ka arritur ta mbyllë procesin zgjedhor në të njëjtin vit që e ka nisur.

Më 31 dhjetor qytetarët e Prizrenit dhe Lipjanit do të dalin për herë të tretë brenda tre muajve para kutive të votimit për t’i zgjedhur kryetarët e komunave.

Mase të njëjtin dënim mund ta kenë edhe gjilanasit, nëse hetimi i kutive të votimit tregon se parregullsitë kanë qenë të tilla çfarë i ka gjetur KZAP’ja. Në të kundërtën, Gjilani do të bëhej me kryetar pas rinumërimit të votave.

Nëse zgjedhjet e deritanishme në Kosovë kanë qenë të rregullta, të qeta dhe demokratike, këto të fundit a e kanë rrëzuar këtë mit.

Analisti kosovar, Shkëlzen Maliqi termin ‘mit’ në këtë çështje e konsideron të papërshtatshëm.

Sipas tij, zgjedhjet janë proces shumë delikat edhe në vendet që kanë përvojë të gjatë në demokraci, “le më te ne që për herë të parë i organizuam zgjedhjet vete”.

Ai thotë se manipulimet e shfaqura në këto zgjedhje kanë ardhur si pasojë e mosndëshkimit të fajtorëve për shkelje në zgjedhjet e vitit 2007.

Ndërsa Tahir Rrecaj, Kryesues i KZAP’së, duke komentuar për këtë gjë, akuzoi KQZ’në se ka shkatërruar të gjitha provat, të cilat kanë qenë të destinuara të përdoren si dëshmi në gjykatë ndaj shkelësve të ligjit. Vjedhja e votës, sipas ligjeve të Kosovës, përbën vepër penale të dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vjet burg.

“Kur të kihet parasysh se këto janë zgjedhjet e para në regji vendore, nuk mendoj se kanë qenë dështim. Shumica e partive ende nuk kanë krijuar mekanizmat dhe njerëzit e besueshëm për kontrollin e votës, dhe ky është shkaku kryesor për lëshimet”, thotë Shkëlzen Maliqi.

“Përsëritja e zgjedhjeve nuk është katastrofë, por më tepër mësim për herën tjetër që të përmirësohet procesi”, thotë analisti Maliqi

Aktorët kryesorë në misionin për ta vjedhur votën, edhe sivjet duket ta kenë pasur komisarët e partive.

Në gusht të këtij viti, shumëkush e kishte marrë me të qeshur rimën që kishte bërë spontanisht Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kur i pyetur rreth pritjeve të tij për mbarëvajtje të procesit zgjedhor kishte apeluar te komisarët që të mos shiten “për ndonjë lek apo një byrek”, por të bëjnë punën e tyre në të mirë të procesit të gjithëmbarshëm.

Tani kur ka kaluar gati një muaj prej që është dashur të mbyllej procesi zgjedhor dhe ai ende nuk e ka parë fundin, Sejdiu e ka të qartë që ka pasur të drejtë në alarmin që kishte ngritur.

“E kam thënë në nivel parimor”, ka thënë Sejdiu muaj më vonë.

Me shenja të qarta mllefi për atë që ka ndodhur, Sejdiu thotë se “procesi ka qenë i mirë në kuptimin e dhënies së kontributit nga qytetarët”.

Ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë të organizatës ENEMO kanë vlerësuar se zgjedhjet e 15 nëntorit dhe 13 dhjetorit ‘në masë të madhe’ kanë përmbushur standardet e kërkuara ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›