E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpallja e Pavarësisë, kurorëzim i luftërave të patriotëve shqiptarë”

05-12-2012 / Gazeta 55

Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “100 Vjet Shtet Shqiptar -100 Vjet Forcat e Armatosura”
 
Në ditën e 100-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, u zhvillua Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “100-vjet shtet shqiptar-100 vjet FA Shqiptare” me temë “Siguria në hapësirën shqiptare, Forcat e Armatosura dhe mendimi ushtarak shqiptar në 100-vjet Pavarësi”.
Në këtë konferencë morën pjesë: zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Nasip Naço, ministri i FSK, Agim Çeku, komandanti i FSK, gjeneral lejtnant Kadri Kastrati, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, studiues nga Maqedonia dhe Kosova, ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, përfaqësues të shoqatave të ndryshme etj.
Konferencën e përshëndeti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i cili në emrin e tij dhe të  ministrit të Mbrojtjes, shprehu kënaqësinë e veçantë për zhvillimin e kësaj konference, e cila, tha ai, organizohet në institucionin e Akademisë së Forcave të Armatosura, si njëri nga aktivitetet e rëndësishme në këtë vit të shënimit të 100- vjetorit të Pavarësisë dhe krijimit të FA.
“Me organizimin e konferencës shkencore, me temë: ‘100 vjet shtet shqiptar –100 vjet Forca të Armatosura Shqiptare’, institucioni ynë akademik, si institucion i arsimit më të lartë  në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, ka për qëllim të kontribuojë jo vetëm në shënimin e kësaj date me rëndësi të veçantë kombëtare, por edhe të publikojë arritjet shkencore më relevante që e kanë përcjellë këtë njëqindvjeçar, në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë dhe flamurit kombëtar”, ka theksuar ndër të tjera, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.
Më tej, gjeneralmajor Gjunkshi, ka nënvizuar se vendimi historik i 28 Nëntorit të vitit 1912, i shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar në Ballkan, ishte një kurorëzim i gjithë atyre luftërave dhe përpjekjeve të plejadave të tëra të patriotëve shqiptarë.
Sipas tij, “ishte jo vetëm akt i një grupi njerëzish, por dhe një vendim i kuvendit kombëtar të mbledhur në Vlorë, ku merrnin pjesë personalitete nga të gjitha viset e trojeve shqiptare, të cilat më pas, nga shkaqe të njohura, nuk patën fatin të përfshihen në atë shtet të përbashkët, i cili u krijua me përpjekjet titanike të një plejade intelektualësh dhe atdhetarësh, që shkëlqyen gjatë gjithë kohës së Rilindjes Kombëtare”.
Duke përfunduar, gjeneralmajor Gjunkshi u ka uruar të gjithë pjesëmarrësve, punë të mbarë dhe suksese në punimet e kësaj konference, dhe arritje të rezultateve të pritura shkencore.
Më pas, konferenca ka vijuar me paraqitjen e disa kumtesave nga studiues vendas, dhe nga Kosova e Maqedonia, në të cilat u pasqyruan vlerat dhe evoluimi i  Forcave të Armatosura Shqiptare në këto 100-vjet të krijimit të tyre. Nga kolonel. dr. Agim Sula dhe nënkolonel në rezervë prof. i asc. Bernard Zotaj u mbajt kumtesa “Koncepti dhe realizimi i sigurisë në hapësirën shqiptare deri në prag të Shpalljes së Pavarësisë, dhe krijimit të shtetit të pavarur e modern shqiptar”; “Organizimi i shtetit shqiptar të pavarur, konceptimi dhe realizimi mbrojtjes në vitet 1912-1920” u mbajt nga gjeneral brigade MsC Bardhyl Hoxha , kolonel prof. i asc. dr. Zaho Golemi; kolonel në rezervë, prof. Pajtim Ribaj, MsC Ekrem Spahiu dhe kolonel në rezervë dr Simon Gega u mbajt kumtesa “Koncepti dhe realizimi i sigurisë dhe mbrojtjes në periudhën e Mbretërisë 1938-1939”; nga gjeneralmajor në rezervë prof. dr. Kostaq Karoli dhe nënkolonel MsC Edmond Doda u mbajt kumtesa “Mbi realizimin e konceptit të sigurisë së vendit, në periudhën e Luftës së Ftohtë”. Ndërsa kumtesa “Kontributi i Kosovës në Pavarësinë e Shqipërisë, dhe në krijimin e ushtrisë së saj” e mbajti zëvendësministri i FSK, prof. i asc, Bejtush Gashi. Gjeneralmajor në rezervë Gëzim Ostreni dhe dr Shpëtim Cani, studiues nga Struga, paraqitën kumtesën “Roli i bashkatdhetarëve nga trojet jashtë Shqipërisë, në organizimin dhe drejtimin e ushtrisë kombëtare shqiptare, në vitet 1912-1939”.
Gjithashtu, në konferencë u mbajtën edhe disa kumtesa të tjera, që trajtonin çështjet e lidershipit ushtarak shqiptar, të arsimit dhe shkollës ushtarake etj.
Në këtë konferencë, Dekani i Shoqatës së Atasheve Ushtarakë të akredituar në vendin tonë, dhe njëkohësisht atasheu ushtarak i Rumanisë, kolonel Danile Plescan, i dhuroi shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, një stemë si shenjë respekti dhe mirënjohje në emër të atasheve ushtarakë.
Me këtë rast, gjeneralmajor Gjunkshi falënderoi të gjithë atashetë ushtarakë për vlerësimin që po i bëjnë, duke theksuar se ky vlerësim i takon të gjithë FA Shqiptare. Ai falënderoi gjithashtu atashetë ushtarakë, për ndihmën e tyre dhe të vendeve që ata përfaqësojnë që i kanë dhënë Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura.
Fjalën e mbylljes së kësaj konference, e mbajti komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha. Kjo konferencë ishte e një rëndësie të veçantë, pasi ju kushtua 100-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ajo u zhvillua në dy seanca. Seanca e parë u zhvillua më 10 tetor 2012 po këtu në Auditoriumin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, me një pjesëmarrje të gjerë studiuesish, dhe historianësh vendas dhe të huaj.
 
Historiku i Forcave të Armatosura
6 ditë pas shpalljes së Pavarësisë në 6 dhjetor 1912 për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare apo Ministria e Luftës, e drejtuar nga Mehmet Dërralla (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga Major Ali Shefqet Shkupi. Në përbërje forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria ishin 12 000 personel gjithsej. 
Ushtria Shqiptare njohu reforma dhe investime, deri në pushtim fashist në 07 Prill 1939, ku bashkë me shtetin u bënë inekzistent dhe Forcat e tij të Armatosura.
Gjatë luftës së dytë botërore forcat e armatosura shqiptare u organizuan në luftën ndaj nazifashizmit, Forca më e madhe ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare me 24 Brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata dhe afërsisht me 45 000 luftëtarë që nëntor 1944 deri 70 000 vetë ose 7 për qind e popullsisë.
Më 9 korrik 1945 ajo mori emrin Ushtria Kombëtare dhe numri i saj u reduktua në 40 000.
Në vitin 1951 Ushtria krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 armën e Kimisë, shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. FD, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan.
Gjatw periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet ‘70 dhe ‘80, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike duke arritur shifrën 61 000 forca aktive, dhe 260000 rezerviste dhe një numër i madh i Forcave Vullnetare.
Në vitet ‘90 me ndryshimin e sistemit politik, edhe Ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në FA filloi me vendosjen e kontrollit civil në to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake dhe zëvendësimi e tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe depolitizimin e departizimin.
Megjithëse në vitin 1997, si pasojë e krizës, FA rezultuan më të dëmtuarat, në një kohë relativisht të shkurtër ato u ringritën dhe u bënë kontribuuese të denja për sigurinë e paqen në rajon e më gjerë. 
Gjeografia e kontributeve të FA në mbështetje të paqes e sigurisë i kaloi kufijtë e rajonit të Ballkanit për tu shtrirë edhe përtej kontinentit.
Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992 u ridimensionuan pas vitit 1997, në përputhje me realitetet e krijuara, dhe arritën pikën e tyre kulmore me ftesën për anëtarësim në NATO që vendi ynë mori në Samitin e Bukureshtit në prill 2008.

Forcat e Armatosura kremtojnë 100-vjetorin e krijimit, paradë madhështore dhe përurohet muzeu i ri i Ushtrisë. Imami: “Ndërtuam ushtri euroatlantike dhe një Shqipëri më të sigurt”
 
Berisha: Në 100 vjetorin e themelimit, ushtria kombëtare me dinjitet dhe fitimtare
 
Misioni i vështirë dhe human i Forcave të Armatosura shqiptare kremton në këtë vit jubilar 100-vjetorin e krijimit të saj, duke nderuar kontributin e të gjithë atyre që dhanë kontribut në mbrojtje te shtetit. Ministria e Mbrojtjes ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme. Kështu në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvilluan me radhë, konferenca shkencore, parada ushtarake me 30 kuadrate, inaugurimi i Muzeut Historik të Ushtrisë, për tu pasuar me koncertin simfonik e këngë patriotike të orkestrës së FA në pallatin e Kongreseve. 
Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes kanë marrë pjesë krerët më të lartë të shtetit si Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri Berisha, ministri i Mbrojtjes Arben Imami si dhe Ambasadorë të akredituar në Tiranë dhe krerë të lartë të ushtrisë shqiptare. Në fjalën e tij, presidenti Nishani theksoi se 100-vjetori i krijimit të Forcave të Armatosur është një gur i rëndësishëm kilometrik në vendin tonë dhe se Shqipëria duhet të krijojë ushtrinë e vogël më të mirë në NATO.
“Si pjesë e festimeve në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë kjo është një ditë për të reflektuar për arritjet që janë bërë dhe të hedhin vështrimin për rrugët që kemi përpara. Shqipëria duhet të krijojë ushtrinë e vogël më të mirë në NATO. Kërkohet më shumë punë organizative dhe intelektuale për të arritur pritshmëritë tona me aleatët e NATO-s”, tha Nishani.
Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Armen Imami, deklaroi se sot Forcat e Armatosura kanë pësuar një transformim rrënjësor, të denje për një vend të NATO-s. “Mirënjohje qeverive të vendit mik SHBA dhe partnerëve që kontribuuan për modernizimin e FA. Ne arritëm të transformojmë rrënjësisht FA, ndërtuam ushtri euroatlantike, qindra mijëra tonë materiale të rrezikshme i asgjësuam, e sot kemi ushtri të pastër dhe një Shqipëri më të sigurt”, theksoi Imami.
Sipas tij, FA u është ndërruar faqja.
“Ushtari e oficeri janë më të përgatitur, të trajnuar e arsimuar më mirë, të veshura më mirë e me pajisje moderne. Ushtria jonë sot nuk shkel më në territore të panjohura”, vijoi ai.
Shefi i shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi ka vlerësuar rrugën e gjatë që kanë bërë FA për të mbërritur në reformimin më të fundit të saj. Në fjalën e tij, shefi i shtabit të përgjithshëm Xhemal Gjunkshi vlerësoi arritjet që Forcat e Armatosura kanë bërë gjatë këtyre viteve.
“FA u konsoliduan duke mbartur vlerat më të mira të traditës së popullit. Sot mbushin 100 vjet, histori me vështirësi e sfida, por është historia jonë. Kujtojmë sot gjithë historinë e luftës për mbijetese, zhvillim e prosperitet, kujtojnë kontributet e bëra në historinë, atë që e themeluan këtë forcë” theksoi Gjunkshi. 100-vjetori i Forcave te Armatosura është pasuar nga një sere aktivitetesh si parada ushtarake. Gjithashtu pjese e ceremonisë ka qene edhe inaugurimi i Muzeut Historik të Ushtrisë.
 
 
Presidenti Bujar Nishani nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit” Shtabin e Përgjithshëm të FA
 
Presidenti Nishani nderoi me Urdhrin “Nderi i Kombit” Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me motivacionin, “Për udhëheqjen dhe përfaqësimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me profesionalizëm, kurajë e maturi në përmbushje të misionit të tyre fisnik në shërbim të popullit shqiptar, si dhe paqes e lirisë në botë, si pjesë e pandarë e Aleancës së NATO-s”.
Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Kryetari i Shtetit ia dorëzoi Urdhrin e lartë, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›