SHBA: “Vendi i Shqipërisë në BE, jemi të angazhuar për t’ju ndihmuar”

Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, nis turin e takimeve në Tiranë, me kryetarin e PS Edi Rama si dhe me kreun e LSI, Ilir Meta. Edi Rama sërish nuk deklarohet “pro” miratimit të 3 ligjeve në parlament, ndërkohë që kreu i LSI denoncon “bllokimin artificial e të panevojshëm të prioriteteve të parealizuara që nevojiten për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian”
Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, i cili ka nisur një vizitë në Tiranë ka takuar dje kreun e opozitës Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së Ilir Meta.
Në takimin me Ramën, Moore ka konfirmuar edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar Shqipërinë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se SHBA-të do ta ndjekin procesin nga afër.
Ndërsa në takimin me kreun e LSI-së zyrtari i DASH rikonfirmoi dëshirën e SHBA që Shqipëria të përshpejtojë reformat që do i hapnin rrugën drejt BE, ku sipas tij është edhe vendi i Shqipërisë.
Edi Rama - Jonathan Moore
Në takimin me Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, Kryetari i PS, Edi Rama pasi shprehu kënaqësinë për momentin e rëndësishëm kur po zhvillohet kjo vizitë, ditën e 90-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA, duke falënderuar njëkohësisht për kontributin e çmuar për konsolidimin e shtetit dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.
Kryetari i PS përforcoi angazhimin e Partisë Socialiste për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian duke nënvizuar se vendi përballet me probleme serioze për shkak të deficitit demokratik, moszbatimit të ligjit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor. Gjithashtu, Rama vuri në dukje domosdoshmërinë e një lufte institucionale për çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe në mënyrë të veçantë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si themeli i një demokracie funksionale.
Duke iu referuar vizitës së Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore konfirmoi dhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar me të gjitha mundësitë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për ecurinë e axhendës europiane të Shqipërisë duke e ndjekur nga afër gjithë procesin.
Ilir Meta - Jonathan Moore
Ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë me fokus zhvillimet e brendshme politike në vend, në përgatitjet për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm si dhe në politikën rajonale të vendit, ishte në qendër të diskutimit gjatë takimit që Kreu i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi me Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.
Ilir Meta e falënderoi diplomatin Moore për vizitën në Tiranë si dhe për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme që SHBA i jep Shqipërisë në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin e integrimit evropian. Në këtë drejtim, Meta iu përgjigj interesimit të Moore për situatën politike në Shqipëri, duke nënvizuar zhgënjimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim me bllokimin artificial e të panevojshëm të prioriteteve të parealizuara që nevojiten për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Jonathan Moore, pasi vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO, shprehu falenderimet e tij për mikpritjen që iu ofrua Sekretares së Shtetit Hillary Clinton në Tiranë, si dhe rikonfirmoi dëshirën e SHBA për një ecuri më të shpejtë të reformave dhe për ta parë Shqipërinë një ditë në Bashkimin Evropian, atje ku vendi i saj është.
Meta rikonfirmoi pozicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për një politikëbërje sa më konstruktive dhe të moderuar, brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të interesave primare të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se sfida kryesore e politikës shqiptare tashmë mbetet evitimi i retorikës konfliktuale dhe realizimi i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente në Qershor 2013.