E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpalljet për shitjen e organeve kanë vërshuar internetin

“Shes veshkën, çmimi fillestar 5.000 euro”. “Shes veshkë, 19 vjeçar, nuk pijë cigare, çmimi 40.000 euro”, këto janë disa nga shpalljet që po mbushin faqet dhe portalet e internetit kohëve të fundit në Kroaci, dukuri për të cilën ekspertët pohojnë se kjo sjell shumë rreziqe.

Fenomeni i shitjes së organeve është i pranishëm 20 viteve të fundit dhe shpallje të tilla përsëriten kohë pas kohe. Transplantime ilegale në Kroaci nuk ka, dhe bëhet fjalë për veprime që kryhen në territore të vendeve fqinje të Ballkanit Perendimor, ku po lulëzon tregtia me shitjen e organeve- pohojnë ekspertët.

“Në disa banesa të çuditshme dhe të papastërta ku kryhen këto veprime të nxjerrjes së veshkës ose pas nxjerrjes së veshkës, i kalojnë klientët në vaskat e banjave që janë të mbushura me akull, sepse akulli parandalon ose ndalon gjakderdhjen”-ka deklaruar Lovirka Marinoviq, konsultante e pavarur ndërkombëtare.

Është kjo zona gri e nëntokës në të cilën mund tu ndodhë gjithçka dhe askush të mos përgjigjet, porosisin nga shoqata “Transplant”.

“Duhet sqaruar se asnjëherë nuk vijnë në spitale normale dhe legale ku do të kenë kushte dhe trajtim normal, por të gjitha këto zhvillohen dhe kryhen në zonën gri kriminale”-ka deklaruar Mirela Panxhiq, kryetare e shoqatës “Transplant”.

Zonja Panxhiq më tej ka shtuar se, bashkëbiseduesve u ka sqaruar se ato janë veprime të jashtëligjshme dhe të dënueshme, nga 70-100.000 kuna kroate (10-15.000 euro), por ajo që është edhe më me rëndësi, është shumë e dëmshme për shëndetin e njeriut.

“Habitem dhe për mendimin tim kjo është shumë diskutabile pse sistemi nuk reagon ndaj shkrimeve, publikimeve, shpalljeve të tilla”-ka thënë Panxhiq.

Dhe, përderisa policia shprehet se, “nuk kanë pas asnjë paraqitje të tillë”, ekspertët e fushës përkatëse apelojnë përkundër varfërisë dhe gjendjes mbase të pashpresë, njerëzit që shesin organet e tyre bien pre e zinxhirit të kriminalitetit të organizuar, prej nga dalin pa veshkë, pa premtim dhe garanca të përfitimit dhe së fundi pa jetë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›