Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut, në Shqipëri për 100 vjetorin e Pavarësisë

Samiti i krerëve të Evropës Juglindore - Kryeministri Berisha takohet në Dubrovnik me kryediplomatin austriak, Spindelegger, ndërkohë që sot ai do mbajë një fjalë para audiencës, si dhe do të ketë një takim me zëvendës-sekretarin e Departamentit të Shtetit, Filip Gordon
Kryeministri Sali Berisha po merr pjesë nё Samitin e kryetarëve tё qeverive dhe personaliteteve nё fushёn e vendimmarrjes dhe opinion-bёrjes nga Europa Juglindore, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs dhe Mesdheu, me temё “Shtet-ndёrtimi dhe eksperienca evropiane”, qё zhvillon punimet përgjatë dy ditëve, 6-7 korrik nё Dubrovnik. Samiti u çel dje pasdite me fjalёn pёrshёndetёse tё mikpritësve tё tij, Kryeministrit Zoran Milanoviç dhe Presidentit Ivo Josipoviç. Nё tё marrin pjesё kryeministrat e Polonisё, Kosovёs, Bullgarisё, Malit tё Zi, Bosnje-Hercegovinёs, Sllovakisё, Rumanisё etj., si dhe Sekretari i Pёrgjithshёm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, Zёvendёssekretari i Departamentit tё Shtetit tё SHBA-ve Philip Gordon dhe Komisioneri pёr Zgjerimin nё Komisionin Europian Stefan Füle. Gjatë punimeve të samitit, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Zëvendëskancelarin dhe Ministrin e Jashtëm të Austrisë, zotin Michael Spindelegger. Kryediplomati austriak, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, i shprehu Kryeministrit Berisha urimet për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e quajtur atë një jubile të madh për vendin. Në këtë kontekst, Spindelegger premtoi se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen në Shqipëri për t’u ekspozuar për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike. Gjithashtu, ai bëri të ditur se Austria do të marrë pjesë në festimet për 100 vjetorin e pavarësisë me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të ngushta midis të dy vendeve e popujve. Spindelegger garantoi gjithashtu se Austria do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtejshme drejt integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht zëvendëskancelarin Spindelegger për të dy lajmet e mira; të ekspozimit në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe për përfaqësimin e Austrisë në festimet e këtij jubile, përmes autoriteteve më të larta. Kryeministri, duke sjellë në vëmendje, me vlerësimin më të lartë, kontributin e jashtëzakonshëm të Austrisë e kombit mik austriak në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë në atë periudhë kritike për fatet e kombit dhe pavarësisë së Shqipërisë, tha se shqiptarët ndihen shumë të lumtur dhe mirëpresin me kënaqësi të veçantë lajmin që autoritetet e larta të Austrisë mike do të na nderojnë me pjesëmarrjen në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Në memorien e kombit, u shpreh Kryeministri, kontributi i Ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontit Bertochd dhe i vendeve mike Austrisë e Hungarisë do të qëndrojë përherë në altarin më të lartë të vlerësimit të kombit shqiptar. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, gjatë gjithë kësaj periudhe, për mbështetjen për statusin e vendit kandidat dhe ecjen përpara me integrimin. Një falenderim të veçantë, Kryeministri Berisha i bëri Zëvendëskancelarit austriak për projektet e suksesshme të bashkëpunimit midis të dy vendeve që po implementohen në Shqipëri, si ai në fushën e regjistrit elektronik të pronave dhe projekte të tjera, por edhe vlerësimin për suksesin e investitorëve të rëndësishëm austriakë në sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare si ai i prodhimit të energjisë hidrike etj.. Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Zëvendëskancelarin Spindelegger me zhvillimet e fundit në Shqipëri, rezultatet e reformave në të gjitha fushat, në veçanti me punën intensive që po bëhet mbështetur mbi Planin e Veprimit për përmbushjen e rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian dhe ecurinë shumë pozitive të këtij procesi gjithëpërfshirës. Kryeministri Berisha e njohu Zëvendëskancelarin Spindelegger me ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, rritjen e investimeve të huaja, por edhe të eksporteve shqiptare, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar për biznes, investime e turizëm. Shqipëria sot, tha Kryeministri, vizitohet nga të gjitha skajet e Europës e më gjerë. Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi përzemërsisht atë në Shqipëri. Spindelegger, duke e pritur me kënaqësi ftesën, i shprehu edhe një herë Kryeministrit, përgëzimet për arritjet e mëdha të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe.
Rruga e Shqipërisë drejt integrimit evropian
Kryeministri Berisha do t’i drejtohet samitit me njё fjalё, nё tё cilёn do tё prezantojё rrugëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt familjes evropiane, reformave tё thella e tё gjithanshme qё janё ndërmarrë nё procesin e integrimit europian, si njё proces qё ka udhёhequr transformimet e mёdha tё vendit drejt vlerave e standardeve evropiane dhe tё cilin qeveria shqiptare e konsideron tё bazuar tёrёsisht nё meritё. Gjatё qёndrimit nё Dubrovnik, Kryeministri Berisha do tё ketё takime me personalitete tё larta, pjesёmarrёse nё samit (me Zёvendёssekretarin e Departamentit tё Shtetit tё SHBA-ve Philip Gordon, Komisionerin për Zgjerimin të BE-së Stefan Fule, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë z. Miroslav Lajcak, Ministren e Shtetit për Çështjet Evropiane tё Irlandёs Lucinda Creighton etj..) Samiti i Dubrovnikut zhvillohet për të shtatin vit radhazi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga vendet e Europës Juglindore, të Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
...