Muze i ri për krimet e diktaturës në Shkodër
Muzeu po ndërtohet në qendër të qytetit të Shkodrës, atje ku në vitin 1945 u ngrit një nga burgjet më të egra të regjimit komunist
Muzeu i Krimeve te Diktaturës po ndërtohet në qendër të qytetit të Shkodrës, atje ku në vitin 1945 u ngrit një nga burgjet më të egra të regjimit komunist dhe ku u burgosën me qindra kundërshtarë politikë të regjimit. Ky burg mbijetoi për më shumë se 40 vjet, duke përcjellë një pjesë të dëshmive të asaj periudhe. Për ndërtimin e Muzeut të Krimeve të Dikaturës, arkitektët dhe kuratorët kanë studiuar edhe muze të ngjashëm, të ndërtuar në vendet e Europës Lindore. Drejtuesi i firmës ndërtuese, që po punon për zbatimin e projektit të muzeut, Mark Gjeka, thotë se janë ruajtur struktura e qelive dhe dëshmi të tjera të mbetura nga ajo periudhë. Jemi mundu shumë për të ruajtur qelitë ashtu siç kanë qenë. Anën konstruktive nuk e kemi prekur dhe jemi mundu të ruajmë të gjithë shënimet dhe gërvishtjet e ndryshme, që të burgosurit e periudhës së komunizmit kanë bërë në muret e këtyre qelive. Janë 28 qeli në katin e pare, të cilat i përkasin periudhës 1946 e më pas, si dhe qelitë e reja të ndërtuara pas vitit 1980.