E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërbërja e një shteti. Krime të pa zbuluara, jetë të humbura shqiptarësh, shtetar që pasurohen

Nga Çlirim Hoxha

Krimi i rëndë ndodhur paraditen e të premtes në Vlorë, nuk ka nevojë për koment. Ato që ne shqiptarët i kishim dëgjuar vite më parë përmes kronikave të RAI-t, apo i kishim parë në filma si Oktapodi, po i shohim të rrugët dhe sheshet e qyteteve tona?! Nuk e kishim menduar se një ditë do të vinte kjo kohë e keqe edhe për ne shqiptarët. Dikur dëgjonim thirrjen e ndërkombëtarëve, kujdes nga krimi i organizuar. Mos lejoni aktivizimin e krimit të organizuar. Por nuk i shpëtuam dot këtyre thirrjeve dhe paralajmërimeve të atyre, që e kishin hequr në kurrizin e tyre këtë plagë të rëndë të shoqërisë njerëzore. Dhe ja tani, një  Xhovani Falkone shqiptar  i ekzekutuar në mes të qytetit, në rrugën më të populluar?! Çpo ndodh kështu me ne shqiptarët?! Përse u zhytëm kaq keq në llumin e korrupsionit dhe të hakmarrjes?! Ku është shteti? Ku është rendi? Ku është drejtësia? Ku është politika shkaktare e të gjitha zullumeve të ndodhura në këtë vend?! Ku?! E pra, vendi ynë po rrëshqet drejtë humnerës. Provat për këtë janë sheshit. U vra edhe gjyqtari i parë shqiptar, shkruajnë mediet, si për të na kujtuar se tani mafia dhe shteti janë bërë një, paçka se politikanët ulërasin kundër krimit dhe korrupsionit?! Ku po shkojmë?! Ku po e orientojmë shoqërinë shqiptare?! Vrasja e një gjyqtari është kulmi i krimit ndaj shtetit, ndaj jetës së qytetarëve në tërësi. Tani secili nga ne që shkruan apo flet hapur, duhet të kontrolloi makinën e tij çdo mëngjes. Tani nuk duhet ti besohet askujt që të troket ditën apo natën në derë. Ky është kulmi i degjenerimit të një shteti, të një shoqërie?! Ka humbur siguria e jetës, ka humbur qetësia e të punuarit dhe menduarit, ka humbur kohezioni social i gjithsecilit.

Pavarësisht se cili është motivi i atentatit ndaj gjyqtarit Konomi, akti është terrorist, është i stilit mafioz, është i pashembullt në jetën shqiptare.  Shteti shqiptar është i zhytur kokë e këmbë në kthetrat e mafies, ku interesat meskine ngrihen mbi interesat e qytetarëve. Koha e fillimit të këtij degjenerimi moral të politikës dhe shoqërisë shqiptare nisi pikërisht në fillim të viteve 90. Atëherë batakshinjtë e komunizmit iu vërsulën pronës së shqiptarëve për ta ndarë e grabitur atë në mënyrën më të ulët të të bërit drejtësi. Në ndihmë të këtyre huliganëve politik u vu menjëherë drejtësia, e cila u bë udhërrëfyese e falsifikimeve spektakolare të Shqipërisë post komuniste. Prona nuk shkoi tek i zoti por u sorollat viteve pa mbarim, u falsifikua dhe manipulua, u denigrua dhe u grabit fatalisht nga njerëzit e hurit dhe litarit. Prona nuk u kthye kurrë tek i zoti qysh në fillim, por u la zvarrë ugareve të politikës dhe drejtësisë shqiptare, për të bërë ca të tjerë të pasur mbi pasurinë e trashëgimtarëve të ligjshëm. Politikanët e të gjitha krahëve e shfrytëzuan pushtetin për tu pasuruar. Ndërhynë për të emëruar në drejtësi gjyqtar dhe prokuror të sojës së tyre, me qëllim që të kishin në dorë drejtësinë e korruptuar. Shikoni çfarë ndodh. Luftë e ashpër deri në vetëmohim për tu bërë anëtar i Gjykatës së Lartë?! E përse u dashka gjithë kjo luftë?! Këtu diku fle lepuri. Flitet e stërflitet për afera korruptive për emërimin e një anëtari në Gjykatën e Lartë?! Atëherë, si mundet vallë të presësh drejtësi nga një gjyqtar i emëruar me të tilla metoda?! Ku është Presidenti i Republikës, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? A ka dijeni ai për këtë luftë të ashpër për tu bërë anëtar i Gjykatës së Lartë?! Si mundet të ketë drejtësi në këtë vend kur hipotekat e Shqipërisë, apo thënë ndryshe ZRPP-të, që nga ajo qendrorja në Tiranë, janë kthyer në vatra të zjarrta të manipulimit me pronat?! Litarin e pronave e la jashtë Enver Hoxha, ky satana i shekullit të XX-së dhe e morën në dorë delenxhinjtë e drejtësisë dhe politikës pos komuniste përmes mendimit dhe veprimit të përbashkët kundër shqiptarëve?!

Kabllogramet e Wikileaksit po na tregojnë se sa shumë është zhytur në llumin e korrupsionit dhe krimit klasa politike që drejton këtë vend. Atëherë, çfarë duhet të bëjnë shqiptarët?! Të largohen nga ky vend dhe tia lënë atë në dorë kusarëve, trafikantëve, mafiozëve, apo të organizohen dhe të kërkojnë përmes protestave largimin e kësaj kaste hajdutësh, matrapazësh politik dhe gjithfarë sekserësh të korrupsionit?!  Krimi makabër i ndodhur në Vlorë nuk është i pari gjatë këtyre viteve në këtë qytet apo në këtë shtet. A janë gjetur ndonjëherë autorët?! Ku fshihen ata?! Ndoshta në gjirin e politikës apo të drejtësisë?! Kush po e udhëheq këtë vend dhe ku po e çon?! Ku janë fajtorët e Gërdecit?! Ku janë hajdutët e rrugës Durrës-Kukës?! Ku janë vrasësit e Fatmir Xhindit apo të kryekomunarit në Kukës?! Ku janë autorët e vrasjes së 4 protestuesve në 21 janar në Tiranë?! Ku janë autorët e vrasjes së gjyqtarit të ri të Vlorës?! A do të zbulohen ndonjë ditë ata?! A do të ndëshkohen një ditë ata?! Cili ishte shkaku dhe shkaktarët e tragjedive dhe krimeve të ndodhura?! A do zbulohet një ditë ata?! A do të funksionoi ndonjë ditë ky shtet i pjerdhur, që veç beton dhe hekur po derdh mbi Rivierën dhe ku pritet që këtë vend të mos e frekuentoi më asnjë turist i huaj. Po shqiptarët çfarë bëjnë?! Çfarë presin shqiptarët?! Kështu kanë vendosur të jetojnë brezat e tanishëm dhe ata që do vinë në këtë vend?! Mes mjerimit, papunësisë, diplomave universitare për tu pirë lëngun, korrupsionit të tmerrshëm qeveritar, drejtësisë së deformuar, policisë së papaguar, ushtrisë së zhytur në llumin e aferave, arsimit të dështuar ku shkolla dhe diplomat po blihen me lekë, ku i paafti po drejton të aftin, ku mamaraqi  bëhet deputet, ku në pronat e shtetasve kanë futur duart politikanët dhe familjarët e tyre, ku plehrat dhe ujërat e zeza kanë mbytur qytetet, etj, etj. Por ajo që është më kryesorja, a mund të jetohet në këtë shtet ku vidhet vota ditën me diell, ku grabitet fitorja në tavolinë, ku ndërkombëtarët tallin bythën, ku Kryeministri na rendit të dytin pas Gjermanisë për zhvillimin, ku merret buka me lista, ku energjia elektrike rritet dhe nuk paguhet dot, ku pensionistët nuk marrin dot pagat se prishet gjithmonë makina e blinduar e transportit, ku opozita hiq e mos e këput, etj, etj. Si mundet të kërkoi Europa të na japi statusin e vendit kandidat me gjithë këto poshtërsi që mbajmë mbi vete ne shqiptarët?! Çi duhet Europës një kandidat për anëtar me gjithë këto ligësi që mbart mbi vete?! Një shtet që të bëhet kandidat apo anëtar i BE-së duhet të jetë i pastër nga këto zullume, ndryshe ne do hapim kutinë e Pandorës në Europë dhe do infektojmë gjithë rajonin me ato që mësuam vite më parë prej tyre. Nuk ka antibiotik që e shëron shoqërinë shqiptare me këta politikan që drejtojnë sot vendin. Shqiptarët kanë nevojë për njerëz me duar të pastra, të betuar deri në vdekje ndaj prosperitetit të Shqipërisë. Kanë nevojë për atdhetar që të mos i shesin interesat e vendit tek fqinjët. Kanë nevojë për një drejtësi që zbaton vetëm ligjin, për një polici të pastër nga militantët partiak dhe të mirë-paguar. Shteti shqiptar mori një goditje të tmerrshme të premten paradite në rrugët e Vlorës. Sa do të jetë në gjendje ky shtet ti tregoi opinionit se ka në dorë mjetet për të luftuar krimin?! Sa do të jetë në gjendje ky shtet për ti treguar botës se krimi i organizuar nuk e bënë dot ligjin në Shqipëri?! Nëse nuk do të jetë në gjendje të na tregoi se është i zoti për të zgjidhur të gjitha këto, atëherë ky shtet ndjesë pastë por ka vdekur. Të gjithë duhet të japin dorëheqjen, që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri e me radhë. Shteti shqiptar duhet formatuar nga e para.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›