Monopolet, korrupsioni dhe (i)moraliteti i politikës
Kabllogramet që kanë mbushur ditët e fundit faqet e gazetave dhe emisionet e lajmeve duhet të kishin krijuar një tronditje të vërtetë në gjirin e politikës. Në njërin krah po tentohet që të shfrytëzohen ato për epërsi politike, ndërkohë që në krahun tjetër duket e qartë përpjekja për ti minimizuar e shpërfillur ato kabllograme. Në fakt, edhe pse diçka e papëlqyeshme, tërmeti i provokuar prej tyre duhet të trondiste seriozisht të dy krahët e politikës shqiptare, duke u shoqëruar edhe me dorëheqje, hetime e procedime…
E thëna dhe e bëra
Kanë qenë tipike këndvështrimet mbi moralen dhe imoralen në raportin e individit me shoqërinë e njëri-tjetrin jo vetëm në ditët tona, por që në kohë të lashta. P.sh., në shoqërinë romake ky raport lidhej ngushtë me ndryshimin midis së thënës e së bërës, me atë që romakët thoshin dhe atë që bënin. Po aty, në kuptimin e moralit dhe imoralitetit, veçohej udhëheqja apo elita nga pjesa tjetër e popullsisë, madje elita shihej si morale, kurse turma me prirje përgjithësisht si imorale. Në këtë mënyrë i mundësohej elitës që të justifikonte qeverisjen e saj dhe ta konsideronte atë si morale, duke kontrolluar e minimizuar sjelljen jo morale të popullit apo turmës. Madje, nëpërmjet një ideje të tillë kanalizohej edhe vetë qëllimi i kontrollit. Në ditët tona, një diçka e ngjashme ndeshet e transplantuar jo pak në gjirin e politikës, sidomos të asaj qeverisëse në mjaft vende, përfshi dhe Shqipërinë, kur shpesh në realitet ndeshet e kundërta!…
Karta e moralit
Në luftën ndaj imoralitetit, për të reduktuar abuzimin e korrupsionin në institucionet politike e publike krijohen procedura konkrete për të kontrolluar aktivitetin e zyrtarëve të tyre. Veçse, nëpërmjet këtyre procedurave kontrolluese e koercitive realizohet edhe imponimi mbi qytetarët. Bile, në këtë proces, futet në lojë karta e moralit, diku me një prirje pozitive, diku tjetër për të kamufluar të vërtetën dhe mbuluar korrupsionin në veprimtarinë qeveritare.
Vetë karta e moralit prodhon edhe qëndrime pozitive, veprime e reagime progresive apo sjelljen e duhur të qytetarëve. Por, a mund shfrytëzohet kjo kartë, a mund të jepen leksione morali në një parlament, kur vetë morali i tij mund të vihet në pikëpyetje? Dhe, jo thjesht e vetëm në respektimin e kuadrit rregullator, pjesëmarrjes e debatit konstruktiv, transparencës së votimit, apo edhe korrektësisë, ndershmërisë e pastërtisë në miratimin e ligjeve, ndërveprimit e kompromisit politik, fuqizimit të zërit qytetar etj. Problemi rezulton akoma më serioz kur preket ose sëmuret edhe institucioni i votës së lirë e demokratike, aq më keq brenda vetë Parlamentit! Madje, në proceset zgjedhore shqiptare janë shfaqur jo pak abuzime me listat zgjedhore, dokumentet e votimit e infrastrukturën zgjedhore, në përgjithësi. Janë ndeshur shkelje e deformime në zbatimin e Kodit, në garantimin e respektimin e votës, në numërimin korrekt të saj etj. Edhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor si KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor kanë shfaqur dobësi serioze, më e pakta për paaftësi profesionale, më e shumta për komandë e tutelë partiake. Tepër të paqarta janë dhe manovrimet partiake mbi financimin e zgjedhjeve apo veprimtaritë partiake. Po ashtu, tepër delikate mbetet çështja e përzgjedhjes, cilësisë dhe ndershmërisë së kandidatëve për deputetë e këshilltarë, për kryetarë bashkie e komune, apo dhe probleme banale si ato të diplomimit abuziv, ato të shkeljes apo kamuflimit të ligjit të konfliktit të interesave etj. Nisur dhe nga kabllogramet e fundit, një situatë e tillë, qoftë dhe në perceptim, duhet të analizohet e korrigjohet me shpejtësi, për të mos kryqëzuar duart pak më vonë! Po ashtu, nuk mund të lihet mënjanë edhe fakti, që në kushtet shqiptare të një regjimi hibrid, me gjithë progresin e dukshëm social-ekonomik e teknologjik-kulturor vazhdon të mbijetojë të menduarit politik anakronik (deri mesjetar) dhe ai autokratik (deri diktatorial), deri marrja përsipër e detyrës së gardianëve të moralit publik për të diktuar atë që është e mirë apo e keqe për këdo.
Kjo karta e moralit po shfrytëzohet sot edhe në përgjigje të përkeqësimit të krizës ekonomike globale apo apendicitit aktual – të krizës së borxhit publik. Madje, nisur dhe nga pamjet konkrete të pranverës arabe, segmente të shoqërisë e politikës në mjaft vende me demokraci problematike kanë shprehur frikën se papunësia në rritje dhe shtresimet e pakënaqura të popullsisë mund të shoqërohen me frustrime deri veprime radikale, si në rastin e Greqisë. Prandaj, mjaft qeveri, duke inkurajuar moralin, nga njëra anë, dhe duke fuqizuar masat koercitive, nga ana tjetër, synojnë ta minimizojnë apo dobësojnë këtë lloj disidence. Pse jo, edhe duke i veshur asaj apo dhe çdo reagimi antiqeveritar rrobën e konservatorizmit, antiglobalizmit, komunizmit etj. Dhe, ndërkohë që frustrimet bëhen më të pranishme, politikanët e korruptuar, në qeveri apo jashtë saj, vazhdojnë të ruajnë pozicione kryesore partiake e publike. Kurse politikanë të ndershëm ose mënjanohen plotësisht apo shumohen për ta shuar zërin e tyre. Akoma më ironik, deri dhe qesharak, është fakti që një pjesë e politikanëve të korruptuar veshin rrobën e moralistit, për të mbuluar korrupsionin apo praktikat e tyre autokratike. Madje, deri duke i konsideruar reagimet ndaj tyre si imorale apo duke akuzuar e sulmuar individë, gazetarë e politikanë, prokurorë e gjyqtarë fare të papërfolur. Në ndonjë rast, duke bërë dhe teatrin e radhës, duke mbuluar korrupsionin e madh dhe proceduar e dënuar atë të voglin; mjaft shpesh edhe duke monopolizuar debatin mbi atë që mund të klasifikohet sjellje morale ose imorale, tamam si në fabulën e Ezopit, ku varen hajdutët e vegjël ndërkohë që ata të mëdhenjtë caktohen në zyra publike. Kjo vlen edhe për ne shqiptarët. Bile, nuk ka asgjë më të keqe për një popull sesa ngritja në piedestal të një hipokrizie të tillë! Pa dënimin e gjithanshëm të këtij realiteti si mendësi e praktikë në qeverisje, demokracia shqiptare mund të asfiksohet e të pësojë një vdekje të ngadalshme…
Lufta kundër padrejtësisë si akt moral
Në përgjithësi, kërkesa për barazi është një e drejtë morale, por dhe hedhja poshtë e politikave të padrejta, antipopullore e korruptive, është një akt moral. Pikërisht që demokracia të mbetet përfaqësuese e popullore! Por jo gjithmonë ndodh kështu! Jo rrallë, qeverisja realizon të kundërtën, deri duke kryer versionin e saj të agresionit mbi pjesën tjetër të shoqërisë, që nuk e mbështet ose e voton atë. Pra, në vend të krijimit të bindjes, këtu e ka burimin përdorimi i forcës. Aq më tepër që kjo forcë (e bazuar në një forcë tjetër), e mbështetur në një shumicë popullore, mund të ndikojë mbi vetë politikën e politikanët. Këta të fundit, nën euforinë e këtij ushqimi, mund të pretendojnë që po bëjnë gjëra të mira, deri duke shfrytëzuar rrugë imorale, korruptive apo antipopullore. Pse jo, dhe të sfidojnë e kapërcejnë të drejtat e njerëzve për të qenë produktivë në kuadër të lirisë, deri duke shfrytëzuar instrumente të qeverisjes për të strukturuar tregun sipas interesave të tyre, dhe jo zgjedhjes individuale. Por, një proces i tillë nuk është as moral, as racional, as i drejtë, më shpesh as dhe efektiv! Ai bëhet akoma më problematik, deri tragjik në situata krize, kur në parametrat shoqërues të tij mishërohen abuzimi qeveritar, arroganca, korrupsioni, paaftësia e jo profesionalizmi. Normalisht, në vende demokratike kjo reflektohet padyshim në zgjedhjet pasuese! Kjo duhet të arrihet me domosdo edhe në realitetin shqiptar…
Një shqetësim tjetër është rritja e kufizimeve nëpërmjet një sistemi rregullator mbytës, shoqëruar me manovrime të tjera për të penguar apo reduktuar lirinë e fja
