Shpërblehet Sunduri

Nga data 12 deri më 15 tetor, në Veles u mbajt edicioni i 10’të i Sallonit Ndërkombëtar të Stripit, në të cilin morën pjesë strip-artistë nga disa shtete rajonale. Mysafirë special të këtij edicioni ishin strip-artistët, Mauro Laurenti (Itali) dhe Gani Sunduri (Kosovë), ndërkohë që pjesëmarrësit e tjerë vinin nga Bullgaria, Maqedonia dhe Serbia.
Gani Sunduri në këtë edicion u prezantua me stripin e tij të shkurtër 4-faqësh, të titulluar “Akullorja”, nga Odhise Grilloja.
Juria vlerësoi se stripi i Sundurit ishte ndër stripat më të suksesshëm të Sallonit në Veles, andaj i njëjti u shpërblye me çmimin special për këtë edicion. Në Sallonin në Veles, Sunduri prezantoi edhe punëtorinë e tij, si dhe vizatoi shumë faqe stripi për adhuruesit e stripit dhe për pjesëmarrësit e Sallonit.
Ndryshe, ky është çmimi i tretë i fituar sivjet nga Sunduri. Çmimi i parë special i jurisë iu nda në Leskovc (Serbi), për kontributin dhënë stripit ballkanik; çmimin e artë “Altin Pulya”, e fitoi në Qipro; ndërkaq çmimi i tretë special ishte ky që e fitoi në Sallonin e Velesit.
Përveç pjesëmarrjes në festivale të shumta të stripit, Sunduri sivjet organizoi edhe Festivalin e 8’të Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës - Prizreni 2012. Ai momentalisht po përgatitet për ekspozitën personale, të cilën do ta hap në Pejë dhe Prizren.