E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimet dhe rrogat, Berisha: Merren brenda dhjetorit

Pavarësisht disa vështirësive, të cilat nuk mund të shpërfillen, si kriza ekonomike dhe rritja e parakohshme e rrogave, Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje shumën prej 15 milionë dollarësh që do të përdoret për shpërblimet e fundvitit. Sipas tij, Ministria e Financave pas një shqyrtimi të kujdesshëm të burimeve, ia ka dalë të sigurojë një fond prej 15 milionë dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 25 mijë lekësh për pensionistët, që do të shpërndahet brenda këtyre ditëve. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se janë jo të pakta vendet, të cilat këtë vit nuk do të shpërndajnë shpërblime në fundvit, apo vende të tjera ku kjo shumë do të jetë 12 euro dhe do të jepet në muajin janar. Kundrejt praktikave të vendeve të tjera, qeveria miratoi dje dekretin për shpërblimet e fundvitit për buxhetorët dhe pensionistët. Për shkak të efekteve të krizës ekonomike, pensionistët ndryshe nga vitet e kaluara do përfitojnë vetëm gjysmën e shumës, ose 2500 lekë të reja, ndërsa për buxhetorët me pagë të vogël shpërblimi mbetet i pandryshuar, 15 mijë lekë të reja dhe për ato me pagë të lartë, 10 mijë lekë të reja, shuma këto që do t’iu shpërndahen këtyre kategorive brenda dhjetorit. Duke iu referuar disa mediave, Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se nuk ka asnjë buxhetor, i cili nuk e ka marrë pagën e tij dhe se pagesat e radhës do të merren ashtu siç parashikohen nga ligji. Kryeministri i përgënjeshtroi ato, duke thënë se qeveria ka bllokuar pagat për zyrtarët, duke bërë të ditur se Ministria e Financave ia ka dalë të garantojë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim, i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera, 100 mijë lekë. “Dua të theksoj se nuk ka as edhe një zyrtar të vetëm të të gjithë piramidës shtetërore të vendit që nuk ka marrë rrogën. Ky është një mashtrim i bazuar në gënjeshtrën. Buxheti ka disponuar të gjithë shumën e nevojshme për pagat, pa asnjë lloj mëdyshje. Buxheti, Ministria e Financave ia kanë dalë gjithashtu të garantojnë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera do të jetë 100 mijë lekë. Edhe ky do të shpërndahet në harkun kohor të ditëve që vijnë. Nuk shtyhet për në janar. Qeveria nuk ka bllokuar asnjë pagë, por qeveria ka pranuar të respektohen afatet ligjore në dhënien e pagave. Kështu që asnjë punonjës nuk ka që nuk e ka marrë pagën. Të gjithë do ta marrin pagën në janar siç duhet. Shpërblimin do ta marrin gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të mund të festojnë vitin e ri më mirë në shtëpitë e tyre. Pra, ky është një dekret që ne miratojmë sot dhe në mënyrë që ai të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të mund të lëvrohet kartolina e vitit të ri që qeveria u dërgon pensionistëve dhe qytetarëve”. Z. Berisha përmendi se nuk mund të injorohen vështirësitë e krijuara nga kriza nga njëra anë dhe nga fakti tjetër, për shkak të zgjedhjeve, në mënyrë që të mos mund të lidhej rritja e rrogave dhe pensioneve me votën, ne u detyruam kësaj radhe të avanconim dy muaj para rritjen e rrogave dhe pensioneve. Pra normalisht rritja bëhet një herë në vit dhe i takonte që të fillonte në një korrik. “Këtë vit për të ruajtur etikën në raportin e pagave me zgjedhjet, ne u detyruam t’i japim dy muaj para. Së dyti, rritja e këtij viti është rritja më e madhe në historinë e vendit, me një faturë të fuqishme, ndërkohë kur në vende të tjera rrogat për shkak të krizës pësuan rënie nga 6 në 12 dhe 14%”, - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›