Protesta në Elbasan, Rama: Berisha, hap kutitë ose ik
ELBASAN - Partia Socialiste eshte ndalur sonte ne Elbasan ne turin e saj te protestave per hapjen e kutive. Deputeti i qarkut Elbasan, Taulant Balla qe foli i pari tha se "Sali Lulëzim Fazlliç Bode hap kutitë ose largohu. Berisha na vuri mbi supe një kosto tjetër, gjyshërit dhe gjyshet të mos marrin shpërblimet, sepse paratë e tyre i prishi në fushatën e vet elektorale, por edhe në një miting ku njerëzit ishin të paguar edhe të detyruar të ishin aty, se Berisha u tha, o vendin e punës, o në miting.
Sipas tij, Berisha do mbahet mend si kryeministri i pandehur pwr shumë arsye, se vrau në Gërdec, shumw shpejt i pandehur edhe për tunelin." Ne nuk do heshtim së kërkuari hapjen e kutive për të shporrur këtë hajdut pronash, trojesh. Për herë të parë, viti mbyllet nesër, Sali Berisha ka dhënë urdhër të gjithë degëve të thesarit mos bëjnë asnjë pagesë, sepse nuk ka lekë. Hap kutitë ose largohu, thotë Elbasani, Librazhdi, Peqini dhe e gjithë Shqipëria", u shpreh Balla para qytetareve te Elbasanit qe jane mbledhur ne sheshin kryesor te qytetit.
Ndersa lideri socialist, Rama ne fjalen e tij, u shpreh:
Sot më tha një dashamirës: pse protestoni kur njerëzit duan të festojnë? Përgjigja ime është: Ne protestojmë sepse njerëzit e kanë të pamundur të festojnë. Ne protestojmë sepse Shqipëria që jeton jashtë oborrit të familjes në pushtet, e ka të pamundur të festojë për Krishtlindje dhe Vit të Ri. Në vend se të festoj, kjo Shqipëri po përballet me mos marrjes të rrogës së vigjiljes së vitit të ri. Ja pse protestojnë ne.
Në vend se të mendojmë për dhuratën e fëmijëve për Krishtlindjet, të gjithë prindërit që deri dje mendonin të merrnin edhe një rrogë tjetër shpërblim për punën në shërbim të shtetit, nuk do të marrin as rrogën e përmuajshme, as rrogën e shpërblimit. Ja pse protestojmë ne.
Në vend se të presim festat për të kaluar ca ditë e netë të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat tyre, 540 mijë pensionistët të këtij vendi, presin me drithërimë janarin, kur nën derë do t'ju hyjë fatura e re e energjisë. Ja pse protestojmë ne.
Në vend se të festojnë edhe ata si gjithë të tjerët, 46 mijë invalidë, të harruar në këtë vend, kanë muaj që nuk marrin atë që u takon me ligj. Ja pse protestojmë ne.
Në vend se Krishtlindjet dhe Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar, ata kanë marrë lajmin se për çdo trokitje te mjeku do të paguajnë deri në 5 herë më shumë. Ja pse protestojmë ne.
Në vend që t'i gëzoheshim më shumë festave, duke shitur më shumë me çmime më të ulëta si për festë, biznesmenët e vegjël të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm që i fut në regjimin e TVSH dhe tatim fitimit. Ja pse protestojmë ne.
Viti 2010 do të jetë viti i shpërthimit të krizës në familjet shqiptare. Megjithëse ne e paralajmëruam Sali Berishën prej kohësh dhe e thirrëm publikisht të merrte masa antikrizë për të mbrojtur popullin, jo të bënte rrush e kumbulla paratë e popullit, për të mbledhur vota për veten e tij. Fatkeqësisht, Sali Berisha nuk e dëgjoi as kambanën tonë dhe as kambanën e FMN. E fshehu krizën dhe i shtoi dramatikisht pasojat e krizës, duke thelluar borxhet për hesap të pushtetit të tij, duke bërë shpenzime të frenuara, para dhe gjatë fushatës elektorale për hesap të pushtetit të tij dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë për hesap të pushtetit të tij, që sot kanë filluar ta paguajnë jo më me të ardhmen e tyre, por direkt me lekët e xhepit të tyre 110 mijë nëpunës e nëpunëse të këtij shteti, që s'do blejnë asgjë për vitin e ri.
Atyre që mblodhi përdhunisht në sheshin "Skënderbej", me urdhër të paligjshëm drejtorësh dhe lista apelesh apo të konvikteve të Enverit, me autobusë e trena, nga të katërt anët, duke bërë tym 4 milion euro tym për të bërë gjysëm orë miting kundër opozitës, sot Sali Berisha u merr lekët e vitit të ri nga xhepi, sepse s'ka lek në arkën e zbrazur për karrigen e tij në 28 qershor, u merr edhe shpërblimin e merituar, sa një rrogë për punën që kanë bërë një vit dhe ju qesh si Xhokeri i Batmanit, duke ju dhënë vetëm një lëmosh, pasi ju ka premtuar 1000 dhurata marramendëse kur ju mori votën.
Viti 2010, do të jetë viti kur qytetarët shqiptar, që të gjithë të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë, të gjithë përveç atyre që jetojnë rreth oborrit të familjes në pushtet, apo që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të do të paguajnë faturën e përballueshme të politikës së gënjeshtrave, të borxheve pa logjikë, të shpenzimeve pa fre, të korrupsionit të këtij kryeministri që ju ka bajatosur njerëzve politikën me gjithë televizorin.
Marrëzia për pushtet të përjetshëm dhe për para' të madhe, korruptimi i pushtetit, ia ka shterur energjitë ekonomisë shqiptare dhe ka provokuar një rënie agresive ekonomike, e cila sapo ka filluar dhe me ndihmën e Zotit kaloftë me pak dhimbje që të mos t'ju ngjaj atyre të mëdhave të këtyre 19 viteve të sundimit të politikës së vjetër.
Por pa dyshim, viti 2010 do të jetë periudha e një rizgjimi të dhimbshëm për shqiptarët, jo vetëm për të varfrit, të papunët, pensionistët, por edhe për sipërmarrësit e vegjël, të mesëm dhe madje edhe për të mëdhenjtë që nuk hyjnë në grushtin e pushtetit të familjes.
Ekonomia shqiptare është paralizuar nga mungesa e konkurrencës së lirë, që është oksigjeni i një ekonomie tregu, nga mungesa e tregut dhe kapitaleve investuese, pa të cilat nuk ka prodhim dhe punësim. Nga mungesa e kushtetutshmërisë mbi pronën dhe vendosja e ligjeve të xhunglës për pronën. Nga mungesa e një shteti në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të sipërmarrjes së lirë. Mungesa e një sistemi drejtësie të pavarur, mungesa e një sistemi arsimor, që kualifikon fuqinë punëtore të vendit dhe të tjera halle të mëdha për faj të interesave të vogla.
Viti 2009 po mbyllet me 0 % rritje ekonomike dhe fundi me shifër negative nën zero, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se 10 vjetësh, duke vepruar si një taksë e fshehtë mbi çdo njeri që fut dorën në xhep. Ky zhvlerësim i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, të shërbimeve shëndetësore, ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve. Vetëm nga rritja e çmimit të jetesës gjatë pjesës së dytë të vitit 2009 dhe rritjes së çmimit të energjisë tani, pensionistëve ju është bërë zero shtesa e pensioneve të këtij viti.