Qeveria mbulon me 22 milionë dollarë rritjen e energjisë
Qeveria do të zbusë efektet e çmimit të energjisë elektrike, duke bërë gati fondin prej 22 milionë dollarësh për mbulimin e rritjes prej 13 për qind. Kryeministri Sali Berisha lajmëroi dje se qeveria ka gati 22 milionë dollarë, që do të përdoren për subvencionimin e familjeve në nevojë. Këto para do të subvencionojnë vetëm rritjen që është parashikuar në fazën e parë të atyre familjeve që harxhojnë deri në 300 kW/h.
Z. Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave iu referua dje vendimit të Entit Rregullator të Energjisë, i cili pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve, ka shpallur rritjen me 13% të çmimit të energjisë. Kryeministri u shpreh se kjo rritje, e cila është e papërfillshme për industrinë, por shumë e madhe për institucionet buxhetore, nxjerr para qeverisë detyrën për mbrojtjen e plotë dhe totale të pasojave të rritjes tek të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara. “Kjo rritje është mjaft më e ulët për 300 kilovatët e parë dhe shkon duke u rritur për konsumet përtej këtyre 300 kilovatëve, të cilat në tërësi janë familje me të ardhura mbi mesataren ose mesatare. Rritja është jo e përfillshme për industritë. Rritja është shumë e madhe për institucionet buxhetore. Është pothuaj dyfishim, çka nxjerr para nesh këto detyra. Së pari, mbrojtjen e plotë dhe totale të pasojave të rritjes tek të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara”. Për këtë qëllim, Kryeministri bëri të ditur se është ndarë fondi prej rreth 22 milionë dollarësh, i cili do të përdoret për skemën e mbulimit të rritjes së çmimit për shtresat në nevojë. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që skema e mbulimit të rritjes për shtresat në nevojë të jetë operative që më 1 janar, në mënyrë që këto shtresa të kenë zero efekt nga rritja dhe dua t’u them këtu se janë mbi 70% e konsumatorëve, të cilët bien në konsumimin deri në 300 kilovat. Ndaj dhe për shtresat në nevojë mbulimi do të jetë i plotë dhe total”.
Rritja, Berisha: Të hiqen llambat inkandeshente
Qeveria do të zëvendësojë llambat inkandeshente me ndriçues të tjerë në të gjitha institucionet e vendit. Në kuadrin e masave për shkurtimin e shpenzimeve në administratë, Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që në bashkëpunim me sekretarët e Përgjithshëm të të gjitha institucioneve, të vendosin rregulla të rrepta për mospërdorimin e llambave inkandeshente në institucione shtetërore dhe zëvendësimin e tyre me ndriçues të tjerë. “Llambat inkandeshente nuk mund të ekzistojnë më, në asnjë institucion shtetëror. BE që është nga ana tjetër edhe bashkimi i të pasurve të botës i ndaloi ato llamba, me vendim të veçantë”. E njëjta masë, Kryeministri kërkoi që të merret edhe për shkollat dhe spitalet e vendit. “Zëvendësimi i këtyre llambave me urgjencë është kushti i të gjitha kushteve për të frenuar rritjen e shpenzimeve administrative”, - tha z. Berisha.
Veturat, Berisha-Bodes: T’i blejmë të lira dhe të mira
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga ministri i Financave vënien në dispozicion të një fondi për blerjen e makinave, më të mira dhe më të lira, të cilat konsumojnë më pak. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha theksoi se “operacioni me veturat do të shtrihet më thellë, në kuptimin që do të disponohet një fond me të cilin do të blejmë veturën më të mirë dhe më të lirë që konsumon më pak, sepse është interesi më i mirë. Greqia që është një vend shumë më i pasur se ne ka vendosur veturën 1.5 kuaj fuqi”. “Duhet të jemi rigorozë, përveç veturave të krerëve të institucioneve kushtetuese dhe ministrave, vetura të tjera që janë për angari do të jenë vetura që konsumojnë minimumin e mundshëm të benzinës”, - u shpreh z. Berisha.