E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërdorim detyre, Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim tetë ish-zyrtarë të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq administratorin, kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a.) shtetasit I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M..L., O.D. dhe E.Xh të akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Sipas prokurorisë, hetimet mbi procedimin penal të vitit 2020, sjellë nga Prokuroria e Posaçme, konstatuan një sërë shkeljesh të evidentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me procedurat e prokurimeve të kryera nga këta persona.

Prokuroria njoftoi se “nga hetimet rezultoi se procedurat e ndjekura, specifikisht për blerje automjeti, janë realizuar pa miratimin e Ministrit të Financave në atë kohë dhe në dosjen e tenderit nuk administrohet argumentimi i kritereve të veçanta për kualifikim, në kundërshtim me ligjet në fuqi. Për sa më sipër është ngarkuar me përgjegjësi administratori D. Q. si dhe Këshilli Mbikëqyrës i përbërë nga kryetarja shtetasja I.M. si dhe anëtarët A.C., A.K., M.L., Ll.P., O.D., si dhe A.Gj. Ky mjet rezultoi gjithashtu se ishte më parë në pronësi të kryetares së Këshillit Mbikëqyrës, shtetases I.M. ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë”.

“Hetimet arritën në përfundim se mjeti i blerë nga FAF sh.a., me vendimin e asamblesë në vlerën 1 600 000 lekë me tvsh, që do zëvendësonte punën e 6 mjeteve, nuk mund të përmbushte nevojat për 30 degët në 30 rrethe të Shqipërisë të kompanisë. Po kështu dhe caktimi i një vendi shtesë pune për shofer për këtë mjet të sapoblerë, kur ishin tashmë 6 shoferë të tillë pa mjete dhe që merrnin rrogat, ishte i tepërt dhe në kundërshtim të hapur me ligjin”, njoftoi prokuroria.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria bëri të ditur se me provat dhe aktet e administruara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm vlerësoi se provohet se nga ana e shtetasve të pandehur I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M.L., O.D., dhe E.Xh., me veprime aktive ose mosveprime, janë konsumuar elemente të figurës së veprës penale “Shpërdorim detyre”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›