Shpërdorimi i autoritetit policor në zgjedhje, Prokuroria e Elbasanit hetim penal për disa punonjës të burgut të Peqinit

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan regjistrim penal për veprën “Shpërdorimi i autoritetit policor”, pas një denoncimi publik të bërë në rrjetet sociale nga një përfaqësues i një subjekti politik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, denoncimi lidhet me dyshimet për përfshirjen e disa punonjësve të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin në mbështetje të një kandidati për deputet në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Prokuroria ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me një prokuror dhe tre oficerë të policisë gjyqësore për të kryer veprimet e para hetimore me karakter urgjent, përfshirë marrjen në pyetje të personave me dijeni, sekuestrimin e provave materiale dhe këqyrjen e pamjeve filmike si dhe sekuestrime të provave materiale (aparate celulare, DVR) etj.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan mbetet e angazhuar për hetimin efektiv të veprave penale në fushën e zgjedhjeve, duke ftuar çdo individ apo subjekt politik të përcjellë në kohën e duhur çdo informacion për fakte penale. /j.p/