Shpërdoruan detyrën, pezullohen dhe u ndalohet dalja nga vendi 5 policëve në Fier

5 efektivë të trafikut në qytetin e Fierit janë pezulluar nga detyra dhe u është dhënë masa e ndalimit të daljes jashtë vendit. Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e prokurorisë për rastin, ku 5 efektivët akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Gjykata vendosi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për efektivët E.H., D.V., E.B., V.Th. dhe F.H.
Vendimet e gjykatës ndaj 5 punonjësve të policisë u ekzekutuan nga AMP Fier. Sipas AMP-së, punonjësit e policisë janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumentave”.
Vendimi i Gjykatës erdhi në funksion të Procedimit Penal të vitit 2023, hetuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ky procedimi penal është ndjekur duke përdorur metoda të posacme të hetimit, nga ku u dokumentua me prova se punonjësit e policisë të sipërpërmendur, gjatë kryerjes së detyrës funksionale, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin falsifikimin e praktikave për ndjekjen e procedurave të mjeteve të shpallura “Alert”, duke paraqitur fakte të rreme dhe duke mos pezulluar lejen e drejtimit të shkelësve të Kodit Rrugor.
/rtsh.al/