E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndahen pasaportat e para për kosovarët jashtë kufijve

PRISHTINË– Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Enver Hoxhaj, në një ceremoni të veçantë të zhvilluar sot në Konsullatën e Kosovës në Berlin, ka shpërndarë letërnjoftimet dhe pasaportat e para të Kosovës të lëshuara në këtë konsullatë, pas funksionalizimit të plotë të shërbimeve konsullore.

Ministri Hoxhaj, i cili në mënyrë simbolike ka shpërndarë letërnjoftimet dhe pasaportat e para për bashkatdhetarët e tij kosovar, e ka quajtur ditë të veçantë për Kosovën dhe emigrantët kosovare funksionalizmin e plotë të shërbimeve konsullore në vendet ku ato jetojnë.

Sipas tij, 13 misionet konsullore të Kosovës në botë janë plotësisht funksionale dhe në shërbim të plotë të shtetasve kosovarë për t’i pajisur me dokumente të ndryshme identifikuese dhe për t’i ofruar shërbime të tjera të nevojshme.

“Shumë shpejt punëtorëve të konsullatave të Kosovës do t’iu vijnë në ndihmë edhe ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, gjë që do të shtojë edhe më tutje efikasitetin dhe nivelin e shërbimeve që do t’iu ofrohen bashkatdhetarëve tanë në mërgatë”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar të gjithë mërgimtarët se të trembëdhjetë misionet konsullore të Kosovës janë të gatshme të pranojnë kërkesat e shtetasve kosovar, për pajisje me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›