E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: Hetimi të konfirmojë akuzat e Dick Martyt

PRISHTINË- Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka thënë sot se shpreson që shumë shpejt do të fillojë hetimi që do të konfirmonte të vërtetën rreth pohimeve të Dick Martyt për tregtinë me organe të personave të rrëmbyer në Kosovë.

“Në interes të të gjithëve është të zbardhet e vërteta dhe që atëherë të ketë siguri të plotë që drejtësia të dalë në shesh”,- ka thënë Ashton, gjatë një interviste për mediat ruse.

Baronesha Ashton ka bërë të ditur se e ka vizituar Beogradin dhe Prishtinën ku është takuar me kryeministrin Hashim Thaçi.

“Kemi thënë qartë se duhet të ketë përgjigje për akuzat dhe se e vërteta patjetër duhet të konfirmohet edhe në rast se akuzat nuk janë të vërteta”,- ka theksuar Ashton.

Ndërkohë mediat kosovare bëjnë me dije se edhe organizata Human Rights Watch e ka cilësuar si hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Ballkan krijimin e një task force për hetimin e pretendimeve të shprehura nga Marty.

Sipas Human Rights Watch, suksesi i hetimeve varet nga emërimi i një prokurori me përvojë, nga një program efikas për zhvendosjen e dëshmitarëve jashtë rajonit, si dhe nga mbështetja e plotë e shteteve anëtare të BE-së qeverisë së SHBA-së.

“Ky hetim i posaçëm i BE-së na sjell më afër drejtësisë për krimet e rënda, të kryera pas luftës në Kosovë”,- ka deklaruar Benjamin Ward, zëvendësdrejtor i Human Rights Watch për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Hetimi ka të bëjë me akuzat për rrëmbime, zhdukje, ekzekutime, trafikim organesh dhe krime të tjera serioze. Hetimi do të ekzaminojë bashkëpunimin e pretenduar të ish-komandantëve të UÇK-së dhe liderëve aktualë të Kosovës.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›