E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ymeri: Privatizimi i PTK-së duhet të ndalet menjëherë

Nga Express më 11 qershor 2011 në ora 14:27

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të privatizimit të PTK-së, pas nisjes së hetimeve lidhur me marrëveshjen me Dardafonin, ndërkohë që vlerësoi se hetimet në PTK dhe Doganën e Kosovës, sipas saj, janë sintome të funksionimit të jashtëligjshëm të Qeverisë së Kosovës.

Në një konferencë për media të shtunën, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ngritja e aktakuzës kundër drejtorit ekzekutiv të PTK-së Shyqri Haxha dhe kryetarit të Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj tregon se marrëveshja e PTK-së me Dardafonin ka qenë e jashtëligjshme.

Ai për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ka bërë përgjegjës edhe ministrin e atëhershëm të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe kryeministrin Hashim Thaçi, të cilët sipas tij kanë mbrojtur marrëveshje me ngulmë dhe në këtë mënyrë ia kanë ulur vlerën PTK-së.

“Pra këta dy janë bashkëpjesëmarrës në këtë marrëveshje të dëmshme për PTK-në dhe vendin tonë, meqenëse janë bashkëpjesëmarrës për dëmtimin e vendit tonë. Marrëveshja për të cilën është ngritur aktakuza ia ka ulur vlerën PTK-së për shkak se një pjesë të fitimit ia transferon Z-Mobilit pa kurrfarë logjike ekonomike”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, kjo marrëveshje dhe shumë dëme tjera që i janë shkaktuar PTK-së siç janë antenat ilegale të operatorëve mobilë serbë në Kosovë, tregojnë se zhvlerësimi i PTK-së ka qenë i qëllimshëm nga ana e Qeverisë së Kosovës, andaj ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të privatizimit të kësaj kompanie.

“Kjo nënkupton se PTK-ja paska mundësi të funksionojë si kompani publike dhe si pengesë për këtë funksionim të mirëfilltë nuk paska qenë treguar, por paskan qenë Hashim Thaçi si kryeministër i Kosovës, Ahmet Shala si ministër i Financave dhe Shyqyri Haxha si drejtor ekzekutiv i PTK-së. Ne konsiderojmë se privatizimi i PTK-së duhet të ndalet menjëherë. Nuk bën në asnjë mënyrë që të privatizohet PTK-ja, veçanërisht tash kur po hetohet penalisht kreu i saj dhe kur po flitet publikisht për vlerësimin e saj”, ka thënë Ymeri.

Ai po ashtu u ndal edhe te mos deklarimi i Qeverisë lidhur me këto hetime, duke thënë se Qeveria deri më tash ka thurur lëvdata dhe mirënjohje për menaxhmentin e PTK-së dhe tash pas nisjes së hetimeve ajo duhet të japë sqarime pse kanë fshehur keqmenaxhimin.

Kurse, sa i përket Doganave të Kosovës, Ymeri thotë se për gjithë atë që ka ndodhur përgjegjësinë kryesore e bart Qeveria e Kosovës.

“Hetimet në PTK dhe dogana janë vetëm sintome të funksionimit të dëmshme dhe të jashtëligjshëm të kësaj qeverie. Këto tregojnë mënyrën se si po funksionon qeveria dhe njëkohësisht e tregojnë edhe dëmin që kjo qeveri po i sjell Kosovës, parasë publike, kompanie publike, sektorit publik në përgjithësi që nënkupton pra dëmet që po i sjellin qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, mos deklarimi i kryeministrit të vendit pas nisjes së hetimeve në PTK dhe dogana “dëshmon se ai është pajtuar me keq menaxhim dhe shpresa e tij e vetme është që në këto hetime mos të përmendet emri i tij”.

Ndryshe, në garë për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së janë vetëm dy kompani. Përpos Telekomit kroat, që si kompani amë e ka Telekomin gjerman, në garë vazhdon të jetë edhe Telekomi austriak.

Lidhur me dyshimet për korrupsion, gjatë dhënies së një licence të telekomunikimit, në korrik të vitit të kaluar, EULEX-i kishte bastisur edhe PTK-në, në mesin e tetë lokacioneve tjera. Pjesë e bastisjeve kanë qenë edhe pronat private të drejtorit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Ndalimin e menjëhershëm të privatizimit të PTK-së dje e ka kဩrkuar edhe organizata Çohu./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›