Shpërndanin lëndë narkotike, Policia arreston tre persona në Tiranë

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Policia e Tiranës ka goditur sot dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, duke arrestuar në flagrancë tre persona.
Sipas Policisë së Shtetit, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për dy raste të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: O. B., 23 vjeç, A. Gj., 24 vjeç, dhe Y. G., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve fizike të këtyre shtetasve iu kanë gjetur dhe sekuestruar sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e shpërndanin lëndën narkotike në disa lagje të ndryshme të Tiranës.
/r.e/