Shpërthejnë ndërtimet pa leje, në dy muaj 40 ankesa
Inspektorati ndërtimor pranë Bashkisë Fier, nga 40 ankesa për ndërtime të ndryshme pa leje për këtë vit, ka shkatërruar 30 prej tyre. Ndërtimet pa leje në territoret publike dhe private në Fier janë kthyer në fenomen shqetësues në këtë qytet. Ndërtimet pa leje që “lulëzojnë” kohë pas kohe janë kthyer në një problem më shumë për inspektoratin ndërtimor. Janë vetë qytetarët e dëmtuar nga persona të tjerë që i kanë drejtuar ankesat e shumta në inspektoratin ndërtimor pranë Bashkisë Fier. Sipas të dhënave, nga drejtuesi i inspektoratit ndërtimor pranë Bashkisë Fier, Sabedin Alliaj, vetëm për dy muajt e parë të këtij viti janë depozituar 40 ankesa të qytetarëve që janë prekur nga zaptimi i mjediseve që janë pronë e bashkisë. Komunitetit të këtyre zonave u janë krijuar probleme prej këtyre ndërtimeve pa leje. Objektet pa leje, sipas kreut të ndërtimorëve në bashki, janë bërë shumë afër banesës ku ankimuesit jetojnë, duke shkelur hapur rregullat e urbanistikës.
Duke marrë parasysh zbatimin e ligjit, procedura e ndjekur në këtë drejtim ka qenë fillimisht shqyrtimi i dokumentacionit dhe ndërhyrja. Tashmë po shënohet faza përfundimtare, ajo e prishjes së objekteve apo mureve rrethuese.
Sipas drejtorit të inspektoratit ndërtimor pranë Bashkisë Fier, Sabedin Alliaj, nga këto 40 ankesa, të cilat janë për muajt janar dhe shkurt, 30 prej tyre janë zgjidhur, ndërsa janë në proces zgjidhjeje 10 prej tyre.
Ankesat, sipas Alliajt, janë nga më të ndryshmet, por më shumë janë zaptime territori. Qytetarë të ndryshëm ndërtojnë në ndonjë hapësirë boshe që i përket bashkisë, duke harruar që ajo pronë i përket dikujt tjetër.
Problemi i zaptimit të territoreve në Fier, si në fondet publike, ashtu dhe private, ka çuar edhe në disa raste të përplasjes së qytetarëve. “Shmangia e vetëgjyqësisë dhe konfliktet mes palëve janë evituar me zbatim në mënyrë të përpiktë të ligjit”, shprehet Alliaj. Vitin e kaluar numëroheshin mbi 130 ankesa të tilla në Bashkinë e Fierit, por duke zbatuar ligjin në të tilla raste, ato janë zgjidhur.
#