Negociatat, PD dhe PS nuk kanë dorëzuar në Presidencë draftet
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk kanë dorëzuar në Presidencë asnjë përgjigje në lidhje me një projekt që është konsultuar paraprakisht ndërmjet këshilltarëve të Presidentit Bamir Topi dhe drejtuesve të niveleve të dyta të dy partive kryesore. Takimi i sotëm ndërmjet Presidentit të Republikës dhe delegacionit të Këshillit të Europës pritet të konsumojë në të shumtën e tij idenë e projektmarrëveshjes për kompromis mes palëve. Burime diplomatike bëjnë të ditur se në takimin që misioni i Asamblesë Parlamentare do të ketë me Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama, do të diskutojnë projektin e hartuar nga këshilltari i Presidentit, juristi i njohur Spiro Peçi, por që nuk ka marrë ende përgjigje nga selitë e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Pas takimit të dytë Topit me liderët, kanë vazhduar kontaktet e Presidencës me drejtuesit e nivelit të dytë për mundësitë juridike që afrojnë Berishën dhe Ramën. Konkretisht bëhet fjalë për interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore. Realisht Partia Socialiste ka qenë më e pasura në propozime, në takimin në Presidencë në lidhje me këtë pikë, ku ka paraqitur opsione j konkrete të një marrëveshjeje që mund të çonte në misionin e suksesshëm të komisionit hetimor, i cili do të respektonte vendimin e Kushtetueses. Variantet e hedhura kanë qenë të ndryshme, por asnjëri nuk është fokusuar, siç është hapja e rastësishme e kutive, ajo me short apo edhe ato ku gjykatat nuk janë shprehur. Megjithatë, si Partia Socialiste edhe Partia Demokratike, mësohet se nuk kanë dërguar në Presidencë një propozim konkret për një marrëveshje të negociuar. Kështu që përpjekja e delegacionit të KiE-së duket jo thjesht i vështirë, por edhe e komplikuar, pasi bisedimet do të fokusohen më shumë në përmbajtjen e një marrëveshjeje sesa me marrjen e “OK” politik për të firmosur një pakt të madh pajtimi.
Axhenda e KiE-sëDje kanë mbërritur në Tiranë, në dy grupe të ndara, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në orët e pasdites kanë ardhur krerët e delegacionit siç janë presidenti i Asamblesë, Mevlud çavushoglu dhe dy reporterët Wildshire dhe Lasko, ndërsa në orët e vona të natës ka mbërritur pjesa tjetër e delegacionit. Mësohet se mbrëmë nuk ka pasur asnjë takim të misionit të KiE-së, por nuk kanë munguar kontaktet diplomatike me njerëzit kryesorë të grupit. Sot, delegacioni i KiE-së do ta fillojë ditën me një mëngjes pune me ambasadorët e BE-së, Montobio dhe Lohan, si dhe ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers. Bisedimet do të zhvillohen në hotel “Rogner”. Në orën 09:15, delegacioni do të shkojë në Presidencë, ku për më shumë se një orë do të diskutojnë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi për rrugët e kompromisit. Pas kreut të shtetit, në axhendë, radhën e ka Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila do t’i presë në zyrën e saj në orën 10:30. Pas Topallit, në orën 11:45, misioni i Këshillit të Europës do të shkojë në zyrën e Kryeministrit Berisha, ku pritet të jetë dhe seanca më e rëndësishme e axhendës, pasi këtu duhet të ndodhë tërheqja për çështjen e kutive. Një burim diplomatik tha se “si mund të zhvillohet hetimi i plotë i zgjedhjeve, nëse nuk preken kutitë”. Pas Berishës, misioni i KiE-së do të ketë kohën e drekës, në të cilën disa prej anëtarëve të delegacioneve mund të kenë konsultime me ambasadorët e Perëndimit në Tiranë. Në orët e pasdites është planifikuar takimi me liderin e opozitës, Edi Rama, i cili mund të zhvillohet edhe në zyrën e kreut të Bashkisë së Tiranës. Pas Ramës, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të takohet në orën 17:00, për më shumë se një orë, me Presidentin, ku do të zhvillohet përmbledhja finale dhe mundësitë për kompromis.
#