Lehtësohet kreditimi për prona të patundshme
Bankat që veprojnë në Shqipëri duket se e kanë shtuar kreditimin për pronat e patundshme në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, pavarësisht se niveli i përgjithshëm i kreditimit në këtë sektor mbetet absolutisht shumë më i ulët se sa një vit më parë. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara nga Shoqata e Bankave. Vitin e kaluar, në Shqipëri u dhanë rreth 31 miliardë lekë (230 milionë euro) kredi për prona të patundshme, me rënie 58 për qind në krahasim me vitin 2008, kur qenë dhënë 73 miliardë lekë, ose 590 milionë euro. Por në muajin dhjetor 2009, kreditimi për blerje shtëpish, tokash apo apartamentesh, arriti në 3.2 miliardë lekë, duke e bërë dhjetorin një nga muajt më të mirë në këtë treg për të gjithë vitin. Gjatë muajve nëntor e dhjetor, kreditimi për blerje pronash ishte vetëm 33 për qind më i ulët se një vit më parë, ndërkohë që gjatë pjesës tjetër të vitit qe shënuar një rënie prej gati 70 përqindësh.
Kreditimi për prona të patundshme është përcaktues për ecurinë e sektorit të ndërtimit në përgjithësi, për arsye se tashmë prej shumë vitesh, pothuajse të gjitha shitjet në këtë sektor financohen përmes kredive bankare. Kreditimi në Shqipëri pësoi rënie të konsiderueshme gjatë krizës së vitit të kaluar. Bankat shtrënguan kushtet dhe rritën interesat për arsye se mundësitë e falimentit të bizneseve apo të individëve kredimarrës u rritën gjithashtu. Nga ana tjetër, bankat kishin pak fonde të lira në dispozicion për të kredituar ekonominë.
InteresatKreditë për shtëpi në euro, të cilat janë më tipiket në tregun shqiptar, u shtrenjtuan ndjeshëm gjatë vitit të fundit, pavarësisht se kostoja e euros në tregun ndërkombëtar u ul me shpejtësi. Kreditë e reja në euro për prona të patundshme në dhjetor 2009 u dhanë përkundrejt interesit mesatar prej 7.67 përqindësh, ndërkohë që një vit më parë, interesi mesatar qe 6.93 për qind. Kreditë për prona në lekë u dhanë përkundrejt interesit 13.3 për qind, ndërkohë që një vit më parë, leku kushtonte 11.36 për qind. Rritja e interesave qe e konsiderueshme për të dyja monedhat.
Perspektiva në kreditimin për shtëpi mbetet jo shumë optimiste, për shkak se bankat greke, të cilat kanë qenë më agresivet në këtë treg, pritet të tërheqin më pak fonde nga bankat mëmë. Gjatë viteve të fundit, një sasi e konsiderueshme euroje u tërhoq nga Greqia për t’u kredituar në Shqipëri, ku interesat janë më të larta. Ky burim financimi krijoi një bum blerjesh banesash nga shqiptarët, por gjatë javëve të fundit vërehet se është pakësuar.
#