E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza për krime lufte, Gjykata vendos 30 ditë arrest shtëpie për të akuzuarit

PRISHTINE- Pas një seance qe zgjati më shumë se 10 orë Gjykata ka vendosur masën arrest shtëpie, me 30 ditë për secilin nga të akuzuarit për krime lufte, ku bën pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë.

“Është vendim skandaloz, është vetëm një spektakël i EULEX-it për tërheqjen e vëmendjes nga çështja e veriut. Nga mesi i javës së ardhshme do të bëjmë ankesë”, ka thënë avokati Tomë Gashi i cili mbron Sylejman Selimin.

Edhe avokati i Lushtakut ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm.

“Çdo paqartësi dhe keqkuptim do tia shpjegojmë gjatë këtij procesi prokurorit. Klienti im është plotësisht i pafajshëm”, ka thënë avokati Arianit Koci për Indeksonline.

Ambasadori Selimi paraqitet në Gjykatë
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi është paraqitur në Gjykatën e Apelit. Ai ka hyrë në këtë Gjykatë i shoqëruar nga një polic i EULEX-it.

Fillimisht i shoqëruar nga EULEX-i ka mbërritur në ambientet e gjykatës, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, pas tij një nga një edhe Sahit Jasharin, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi. Me ta janë parë edhe avokatët mbrojtës të tyre.

Ish-komandanti i UÇK-së ka shkuar në Gjykatë pasi është kthyer nga Shqipëria, ku shërben si Ambasador i Kosovës. 

Gjatë seancës gjyqësore, Prokurori i EULEX-it, Mauricio Salustro, ka kërkuar 30 ditë paraburgim për shtatë të dyshuarit për krime lufte në rajonin e Drenicës. Bëhet e ditur se Prokuroria e ngarkon ish-Komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimi, me shtatë vepra penale, ndërsa ish-Komandantin e Zonës së Drenicës, Sami Lushtakun me tri vepra penale, që dyshohet se janë kryer në kohën e luftës.

Burime të gazetës Express bëjnë të ditur se Sabit Geci dhe Sahit Jashari dyshohen se e kanë vrarë Komandantin e policisë në Drenas në kohën e luftës. 

Avokati i ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, Tomë Gashi tha se prokurori Maurizio Salustro ka kërkuar paraburgim për të gjithë, duke përfshirë klientin e tij. Ai bëri të ditur se vendimi i gjykatës pritet të lexohet rreth orës 23:30.

Vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake për "Grupin e Drenicës", po e presin para gjykate edhe shumë bashkëluftëtarë dhe bashkëqytetarë të Lushtakut e Selimit. Një pjesë e tyre janë vendosur përballë godinës, ndërsa disa të tjerë para hyrjes kryesore të Gjykatës.

Avokati: Dyshohet akuza, për krime lufte
Avokati i Selimit ka pranuar se mbi klientin e tij rëndojnë dyshime për krime lufte. Selimi pritet të paraqitet në seancën e procedurës paraprake, ku një gjykatës i EULEX-it pritet të marrë vendim nëse ambasadorit Selimi do t’i shqiptohet masa e paraburgimit apo do të lihet i lirë.

Seanca u mbajt në orën 15:00 dhe aty bashkë me Selimin, ishin edhe Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi, 5 të akuzuarit e tjerë.
Të gjithë këta akuzohen për krime lufte, arrestime, torturime dhe trajtim çnjerëzor, në kundërshtim me rregullat e luftës, gjatë luftës në Kosovë.

(er.nu/d.b/m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera EULEX prangos 5 ish -komandantë të UÇK, pyetet dhe ambasadori Selimi Gjahu ndaj komandantëve Komuna Skënderaj kundërshton arrestimin e Lushtakut Arrestimet në Kosovë, qeveria: Jemi të shqetësuar Arrestimet, Kosova të hënën në protestë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›