E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shperthen Fiorentina fiton 4-1 ndaj Sienes

Fiorentina arriti një fitore të thellë dhe të bukur, 4-1 në fushën e saj ndaj Sienës në javën e 17-të të Serisë A, duke qenë tani fare pranë vendeve të kreut.
Skuadra e trajnerit Montela pati epërsi në derbin e Toskanës, ndërsa sulmuesi veteran Luka Toni ishte autor i dy golave. Në këtë ndeshje që nisi në orën 12:30, ekipi nga Firence e gjeti shumë shpejt avantazhin dhe e mbylli pjesën e parë në fitore 3-0.
Në pjesën e dytë pati edhe dy gola të tjerë, ndërsa Siena e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë për shkak se Masimo Paçi u përjashtua nga loja me karton të kuq.
Pas këtij suksesi, Fiorentina arriti në kuotën e 32 pikëve, duke qenë vetëm 2 pikë prapa Interit dhe 1 pikë prapa Lacios. Kjo bën që “vjollcët” të jenë pretendentë seriozë për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Një ditë më parë në Serinë A, Lacio mundi Interin 1-0, ndërsa Udineze e Palermo u ndanë në barazim 1-1.
Ndeshjet e tjera të javës së 17-të vazhdojnë të luhen që nga ora 15:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›