E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen Prishtina

Kampioni në fuqi, Sigal Prishtina ka lëvizur në ditën e fundit të afatit kalimtar, duke u përforcuar me tre basketbollistë të huaj.

Bardh e kaltrit kanë transferuar dy basketbollistët amerikanë: qendrën Nakiea Miller (kishte stërvitur me Sacramento Kings), që së fundmi ka luajtur tek ekipi indonezian Satria Muda Britama Jakarta, dhe qendrën Alex Carcamo (qëndroi në një mini-kamp të Philadelphias në NBA në vitin 2002), që vjen nga ekipi meksikan Cosmos de Tijuana.

Po ashtu, bardh e kaltrit morën edhe lojtarin kamerunas Gaston Essengue, i cili luan në pozitën e alo-qendrës. Ai është përfaqësues i Kamerunit, kurse së fundmi luajti në kampionatin turk.

Ndërkohë, edhe Bashkimi është treguar aktiv të hënën. Prizrenasit transferuan dy lojtarë maqedonas: fundorin Igor Trajkovski (180 cm) dhe Sinisa Avramovski, 210 centimetra i gjatë (qendër dhe alo qendër).

Gjithashtu klubi portokalli ka çregjistruar basketbollistin Aldin Kadiq, ndërsa është përforcuar me lojtarin vendor, qendrën Ersid Luca, i cili në të kaluarën kishte luajtur për Trepçën, Sigal Prishtinën dhe Pejën.

Përpos kroatit Jure Lozançiq, Trepça të hënën e ka transferuar edhe lojtarin vendor Besnik Azemi nga Kosova e Vushtrrisë. Në fund, Bambi e riktheu lojtarin me status vendor Vladimir Dujovic. Klubet tjera, Peja, Kosova dhe Drita, “fjetën” në këtë afat kalimtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›