Shpërthen karburanti “Elda” te “Brryli”

Një shpërthim ka ndodhur në zonën e Brrylit, në Tiranë, në një pikë karburanti “Eida”, në pronësi të biznesmenit Frident Kuqi.
Sipas burimeve, shpërthimi dyshohet se ka ndodhur në një depozitë të pikës së karburantit, duke shkaktuar shembjen e një godine njëkatëshe që ndodhej pranë saj.
Në momentin e ngjarjes, një person po furnizonte automjetin e tij me karburant dhe, për shkak të shpërthimit, ka mbetur i shokuar.
Si pasojë kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të biznesit, Vlerim Hakballa, 22-vjeç, Rozart Abazi, 30-vjeç dhe Aurel Xhanaj, të cilët janë dërguar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për të menaxhuar situatën dhe për të garantuar sigurinë në zonë. Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit.
Njoftimi i Spitalit të Traumës
Tre personat e dëmtuar si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në një karburant pranë zonës së “Brrylit”, Tiranë, janë paraqitur për trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Pacientët V. H., R. A. dhe A. XH. ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe janë nën kujdesin e ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës.
Aktualisht, po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tyre shëndetësore, në përputhje me protokollet mjekësore.